//Për maturantët tanë – Universiteti i Tetovës përfaqëson vatrën e dijes dhe përparimit kombëtar

Për maturantët tanë – Universiteti i Tetovës përfaqëson vatrën e dijes dhe përparimit kombëtar

2021-04-10T13:52:31+00:00 Prill 10, 2021|

Qindra maturantë të Gostivarit, të Kërçovës dhe të Strugës, më 8 prill 2021, përmes platformës online nga ligjëruesit e Fakultetit Pedagogjik dhe Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës janë njohur me gamën e gjerë të programeve dhe të drejtimeve studimore që ofrojnë këto dy njësi akademike për vitin e ardhshëm 2021/2022.

Profesorët e Universitetit të Tetovës, të cilët e realizuan prezantimin online në qytetet e lartpërmendura, Doc. Dr. Besa Dogani, Doc. Dr. Arbëresha Zenki Dalipi, Prof. Dr. Lulzime Lutfiu-Kadriu, Doc. Dr. Lulzim Mehmedi, Doc. Dr. Gëzim Xhambazi dhe Doc. Dr. Drita Memeti, takimet online me maturantët e Shkollës së mesme teknike komunale në Gostivar, SHMK “Dr. Ibrahim Temo” – Strugë dhe  të SHMK “Drita” – Kërçovë, i konsiderojnë mbresëlënëse, të frytshme dhe motivuese për të vazhduar misionin e edukimit të gjeneratave të ardhshme.

Po ashtu, më 9 prill 2021, Fakulteti Pedagogjik dhe Fakulteti Filozofik, ofertën promovuese e kanë zhvilluar edhe me maturantët e shkollave të mesme të Tetovës, në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, në gjimnazin “7 Marsi”, në shkollën e mesme ekonomike “8 Shtatori”,  në Shkup në gjimnazin “Zef Lush Marku”, në Kumanovë në gjimnazin  “Sami Frashëri, në Dibër në shkollën e mesme  “28 Nëtori” etj.

Në prezantimin e ofertës akademike për vitin e ardhshëm, para maturantëve të Tetovës, Shkupit, Kumanovës dhe Dibrës, nga dy fakultetet u angazhuan: Prof. Dr. Rabije Murati, Doc. Dr. Teuta Iljazi, Doc. Dr. Makfirete Ameti, Ass. Mr. Afërdita Iljazi – Hoxha, Doc. Dr. Besnik Rameti, Prof. Dr. Buniamin Memedi, Doc. Dr. Teuta Rasimi, Mr.Sc. Dega Marku dhe asistentja Verona Paçuku.

Përmes kësaj fushate – online maturantët njihen në mënyrë të detajuar me njësitë akademike të Universitetit të Tetovës, si dhe me programet studimore në kuadër të këtyre njësive. Mes tjerash, rëndësi u kushtohet aktiviteteve arsimore dhe shkencore, bursave studentore, projekteve ndërkombëtare për përkrahjen e arsimimit të të rinjve, aktiviteteve studentore, si dhe kushteve dhe mundësive të tjera që universiteti i ofron për studentët.

UT-ja, platformën akademike për vitin 2021/2022 e ka prezantuar në pjesën dërrmuese të qyteteve të vendit tonë, të cilat qëndrojnë fort pas misionit të këtij universiteti – për arsimimin e brezave, për kërkimin shkencor dhe për avancimin e kauzës  sonë mbarëkombëtare.