Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës dhe Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare organizuan Edicionin VII të Javës Evropiane ″Ditët e Evropës″.
Më 4 maj u bë hapja solemne e këtij edicioni në hapësirat e ITSHKSH, me këtë rast fjalë hyrëse mbajti dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, Prof. Dr. Ylber Sela, drejtori i ITSHKSH, Prof. Dr. Skender Hasani dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Mërgatës, Izmit Nura. Gjithashtu u realizua edhe panel diskutimi nga Prof. Dr. Izer Maksuti dhe Faik Nika, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi. Tema e diskutimit ishte ″Shqiptarët dhe Evropa″.
Më 5 maj u realizua takim mes ambasadorit të Bashkimit Evropian në RMV, David Geer dhe dekanit të Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, drejtorit të Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, Prof. Dr. Ylber Sela, studentëve dhe aktivistëve nga jeta publike. Me tematikën ″Roli i të rinjve në promovimin e vlerave evropiane″, prezantuan Pleurat Ajvazi, Arrita Vrenezi, Eren Ali, Besjana Izairi, Behar Rushit dhe Ariton Rama. Ambasadori i BE-së në RMV theksoi rëndësinë e procesit të integrimeve, prioritet dhe sfidat e realizimit të rij.
Më 8 maj u mbajt ligjëratë para studentëve të Fakultetit Juridik nga Ambasadorja e Suedisë, ekselenca e saj Ami Larsson Jain, me ç’rast në fillim u prit nga rektori i UT-së Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, Prof. Dr. Ylber Sela, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu dhe prodekani për arsim, Prof. Dr. Ebrar Ibraimi. Rektori e njoftoj ambasadoren e Suedisë lidhur me zhvillimin e universitetit, veprimtarinë kryesore dhe kontributin e tij në të mirën e përgjithshme, të gjitha të arriturat në sferën e arsimit, shkencës dhe veprimtarisë botuese. Në kuadër të prezantimit të saj, ambasadorja para studentëve të Fakultetit Juridik e elaboroi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Me këtë rast, dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli afirmoi faktin se ne gjithmonë e mbështesim bashkëpunimin në kuadër të kontributit të tërësishëm dhe me veçanti në procesin e integrimit në BE dhe se vendi po ballafaqohet me një proces mjaft serioz lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimeve në Kodin zgjedhor, me qëllim të hapjes së rrugës për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë të vendit në BE. Ambasadorja suedeze theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Republika e Maqedonisë së Veriut u ballafaqua profesionalisht në procesin e skriningut, mbetet prioritet çështja e sigurisë, ruajtja e vlerave demokratike dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionin.
Më 9 maj në hapësirat e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, në prani edhe të Rektorit Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe Prorektorit për Financa, Prof. Dr. Faton Shabani u realizua prezantimi i eseve më të mira dhe ceremonia e ndarjes së certifikatave për esetë më të dalluara.