Poetët pjesëmarrës në Festivalin poetik mbarëkombëtar, “Flakadani i kujtesës”, përkatësisht të edicionit IV të manifestimit kulturor-letrar “Poeti dhe liria”, janë pritur sot në Universitetin e Tetovës nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti dhe prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri.
Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Rektori i UT-së e përgëzoi për këtë organizim kryetarin e Shoqatës për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica”-Tetovë, Prof. Dr. Zeqirja Rexhepin, të cilit i shprehu mbështetjen e Universitetit për mbajtjen dhe realizimin e aktiviteteve kulturore. Sipas tij, ngjarje të tilla vetëm se e begatojnë veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit të Tetovës dhe jetën kulturore në qytetin e Tetovës dhe më gjerë.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica”-Tetovë, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për pritjen e ngrohtë, sikurse theksoi ai, në Universitetin Kombëtar të Shqiptarëve në Maqedoni, në Universitetin e Tetovës. Kryetari i këtij subjekti kulturor, po ashtu theksoi se në edicionin e këtij viti marrin pjesë poetë të njohur nga të gjitha viset shqiptare, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë dhënë kontribut të çmuar për afirmimin e letërsisë dhe kulturës sonë.
Pas pritjes në Rektoratin e Universitetit, poetët e manifestimit të lartpërmendur i vizituan edhe ambientet e jashtme të kampusit të Universitetit të Tetovës.
Zyra për informim