//Poeti amerikan Craig Czary e vizitoi Universitetin e Tetovës

Poeti amerikan Craig Czary e vizitoi Universitetin e Tetovës

2018-05-18T15:58:32+00:00 Maj 08, 2018|
Poeti amerikan Craig Czary, i shoqëruar nga profesoresha dhe krijuesja e mirënjohur letrare, njëherit edhe kryetare e Qendrës PEN të Shqipërisë – Entela Kasi, sot e vizitoi Universitetin e Tetovës.

Gjatë qëndrimit të tyre në Universitetin tonë fillimisht u pritën në një takim miqësor nga dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, i cili i njoftoi mbi zhvillimet e fundit në këtë fakultet. Bashkëbiseduesit rëndësi të veçantë u kushtuan edhe aktiviteteve të cilat realizohen nga studentët dhe pedagogët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Poeti amerikan Craig Czary zhvilloi takime edhe me studentët dhe profesorët e Fakultetit Filologjik, të cilët i njohu me krijimtarinë e tij artistike dhe recitoi disa poezi.

Për veprimtarinë e poetit foli drejtoresha e Qendrës PEN të Shqipërisë, Entela Kasi. “Craig Czary është nga rajoni i minierave të Pensivalisë Verilindore, i ka kaluar 15 vitet e tij të hershme në Amerikën e Veriut, ka studiuar poezinë evropiane dhe poezinë e poetëve latino – amerikanë. Craig Czary është laureuar me çmime të ndryshme letrare në botë si dhe ka qenë laureat i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” në vitin 2011”- tha Entela Kasi.

Poeti amerikan Craig Czary si laureat i “Ditëve të Naimit” në vitin 2011, është prezantuar para studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Tetovës me ç’rast në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për veprimtarinë e tij artistike i është ndarë logoja e Universitetit të Tetovës.