Studentët e Programit studimor të Gazetarisë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, të shoqëruar nga disa studentë te Fakultetit të Edukatës Fizike, bashkë me profesorët e tyre, Prof. Dr. Dashmir Idrizi dhe Prof. Dr. Astrit Memia, gjatë ditës së enjte realizuan një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë.
Synimi i kësaj vizite ishte që, studentët tanë të njihen më së afërmi me punën praktike nëpër institucionet e Republikës së Shqipërisë, deklaroi Prof. Dr. Dashmir Idrizi, pasi ajo që u është ligjëruar gjatë 4 viteve të kaluara në aspektin teorik, studentët të arrijnë ta shohin edhe në praktik; të njihen me punën në televizion, siç ishte TVSH, dhe Top-Chanel, pastaj vizita tek Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), e cila ka një traditë mbi 100 vjeçare.
Fillimisht, studentët u pritën nga Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili u uroi mirëseardhje studentëve dhe u premtoi bashkëpunim në të ardhmen. Ai u shpreh se, e ardhmja është në duart tuaja dhe dyert e presidencës do të jenë gjithmonë të hapura për studentët e Universitetit të Tetovës, pasi ai është një institucion që i ka themelet në gjak dhe është krijuar me sakrificë të madhe.
Nuk munguan as pyetjet e studentëve, të cilat kishin të bëjnë me situatën aktuale në Maqedoninë Verore, në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit në përgjithësi. Vlen të theksohet se, ishin të parët studentët e UT-së si vizitorë të jashtëm që e vizituan kryetarin e shtetit prej ardhjes së tij në këtë detyrë.
Më pas, studentët e vizituan Pallatin e Brigadave, që njihet ndryshe si rezidenca e mbretit Ahmet Zogu, aty u pritën nga drejtoresha, Elmiara Xhula, e cila i shoqëroi dhe ua mundësoi studentëve të UT-së që të njihen me çdo cep të objektit, madje ua tregoi edhe pasqyrën e thyer të dhomës së mbretit Zog, e cila ruhet me fanatizëm, e cila është krisur si rezultat i njërit nga atentatet e bëra ndaj tij.
Studentët tonë, gjatë vizitës në Tiranë realizuan një takim të frytshëm edhe me përgjegjësen e Parlamentin e Shqipërisë, Migeba Dushku, e cila ua mundësoi studentëve të njihen pothuajse me të gjitha sallat e komisioneve ligjvënëse të Parlamentit, ku më në fund edhe shkëmbyen mendime rreth punës dhe mbarëvajtjes së seancave të komisioneve parlamentare të Kuvendit e Shqipërisë.
Vizita në Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Shqiptare e shtoi kureshtjen e studentëve, të cilët arritën të njihen me atë se si kanë funksionuar në kohën e sistemit monistë dhe si funksionojnë sot mediumet. Kryeredaktorja e TVSH-së, Mimoza Haxhia, dhe ajo e ATSH-së, Almarina Gegvataj, në mënyrë të hollësishme bënë përshkrimin e punës në këto media kombëtare dhe njëkohësisht folën edhe për digjitalizimin e tyre.
Ato thanë se këto media kombëtare veprojnë në bashkëpunim permanent me mediet simotra në Ballkan dhe në botë.
Në fund të vizitës, studentët e gazetarisë patën fatin ta vizitojnë edhe televizionin kombëtar satelitor Top-Chanel, i cili konsiderohet si njëri ndër mediumet e para të pavarura në Shqipëri. Aty, studeneetët u pritën nga redaktorja përgjegjëse, Erina Matraxhiu, e cila i shoqëroi studentët gjatë gjithë qëndrimit të tyre në Top Chanel, pasi ua prezantoi pikat e montazhit, studiot ku zhvilloheshin lajmet e drejtpërdrejta, emisionet debatuese etj. Ajo, më pas doli edhe i njoftoi studentët më për së afërmi edhe me studiot e emisioneve, siç janë: E diela, Pesë në pesë, Përputhen, Big Brother etj.
Studentët patën mundësi të vizitojnë edhe Institutin për qeverisje të mirë, ku u pritën nga drejtori, Arben Çejku, i cili më herët ishte ambasador i Shqipërisë në RMV, me të cilin shkëmbyen mendime rreth situatës aktuale ne Shqipëri dhe më gjerë.
Me këtë u përmbyll edhe një aktivitet i suksesshëm i studentëve të gazetarisë të Universitetit të Tetovës në institucionet dhe mediet e Republikës së Shqipërisë.
Zyra për informim