Në suaza të Asociacionit të mirënjohur ndërkombëtar për zhvillim dhe hulumtim shkencor ACM (Association for Computing Machinery), aplikimi nga Universiteti i Tetovës në këtë asociacion u pranua si i suksesshëm.
Përmes këtij asociacioni, tani më në vazhdën e prezantimit të ligjëratave nga ligjërues të ndryshëm të shkencave kompjuterike, më 27 maj 2019, në Universitetin e Tetovës para studentëve të informatikës prezantoi një ligjëratë profesionale, Prof. Dr. Peter Robinson nga Universiteti i Kembrixhit, njëherit edhe udhëheqës i departamentit të shkencave Rainbow.
Fillimisht, profesori Peter Robinson zhvilloi një takim me dekanin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. Dr. Alit Ibrahimi dhe stafin e tij, me të cilin diskutuan për shumë çështje të cilat kishin të bëjnë me sfidat me të cilat përballen institucionet e arsimit të lartë kudo në botë.
Pas këtij takimi, profesori Peter Robinson paraqiti para studentëve të UT-së punën e tij rreth krijimit të disa robotëve që emitojnë emocione. Ky prezantim nxiti mjaft kureshtje dhe debat për zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj lëmie.
Dilemat që u parashtruan ishin të tipit, nëse në të ardhmen njerëzimi do të ishte në rrezik nga zhvillimi i hovshëm dhe i pakontrolluar nga njerëzit e sistemeve robotike.
Zyra për Informim