//Prof. Dr. Robert Kote hapi ekspozitën e tij me vizatime në Universitetin e Tetovës

Prof. Dr. Robert Kote hapi ekspozitën e tij me vizatime në Universitetin e Tetovës

2018-11-05T17:23:29+00:00 Nëntor 05, 2018|
Në hapësirat e Rektoratit të Universitetit të Tetovës sot u hap ekspozita me vizatime e Prof. Dr. Robert Kote, tematika kryesore e të cilës lidhet me kalanë legjendare të Krujës dhe ndërtimin e muzeut historik për Skënderbeun po në këtë kala.

Ekspozita e Prof. Dr. Robert Kotes është prezantuar edhe në disa qytete tjera shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë, në kuadër të aktiviteteve të cilat realizohen në agjendën e 550-vjetorit të lindjes së Skëndërbeut, i shpallur edhe si viti mbarëkombëtar i tij.

Para hapjes së ekspozitës, Prof. Dr. Robert Kote, në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara të Universitetit tonë zhvilloi një ligjëratë, në të cilën në pika të shkurtra i prezantoi disa fakte rreth punëve gjatë ndërtimit të muzeut të Skënderbeut në kalanë e Krujës. Ai tha se për vite me radhë ka qenë udhëheqës i punëve dhe se gjithçka është realizuar sipas kërkesës së udhëheqësit të atëhershëm të Shqipërisë, Enver Hoxhës.

Ai u bëri thirrje studentëve të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara që së bashku me profesorët e tyre ta vizitojnë këtë muze dhe për së afërmi të shohin punët që janë bërë në këtë muze.

Prof. Dr. Robert Kote, pas vizitës në Universitetin e Tetovës, ka realizuar disa vizita edhe nëpër disa vende në Tetovë për të fotografuar dhe skicuar disa objekte me qëllim që të grumbullojë informata dhe detaje. Ai premtoi se në të ardhmen do të vizitojë edhe disa qytete të tjera në Maqedoni dhe të njëjtat materiale do t’i prezantojë në një ekspozitë me vizatime.

Zyra për Informim