Në ditët e fundit të muajit maj, në Qendrën Kulturore Informative të Stambollit, u organizua Kolonia e parë artistike nën moton “Së bashku si një”. Në këtë projekt ndërkombëtar morën pjesë edhe profesoreshat e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Prof. Ord. Lulzime Leka Mulaku – piktore, Prof. Inord. Drenusha Palloshi – piktore dhe Prof. Inord. Jëlldëz Asani – në cilësinë e kuratores të ekspozitës. Kjo ngjarje përfaqëson jo vetëm një hap të madh për artin dhe kulturën, por edhe një moment historik në promovimin e artisteve femra nga Maqedonia e Veriut.
“Së bashku si një” simbolizon unitetin dhe forcën e përbashkët, midis artisteve nga një mozaik i pasur kulturash dhe etnitetesh. Kjo koloni artistike ofron një mundësi unike ku zërat dhe talentet e femrave mund të dëgjohen dhe vlerësohen në një skenë më të gjerë ndërkombëtare duke i dhënë artit femëror një vend të merituar në historinë e artit botëror.
Puna dhe përkushtimi i artisteve: Lulzime Leka, Enesa Memeti, Drenusha Palloshi, Akime Nasufi Rexhepi, Jana Maneva Çuposka, Ana Trajkovska, Katerina Tanevska dhe Ebru Selman më në fund u kurorëzua me një ekspozitë shumë të veçantë, duke krijuar vepra që janë aq të ndryshme sa edhe të ngjashme në shpirtin e tyre të përbashkët. Të gjitha veprat e realizura për këtë ekspozitë janë me llojllojshmëri stilistike, me një bashkim të ngjyrës, strukturës, gjestit, vijës dhe sipërfaqes për t’i transformuar ato nga ideja në realitet. Disa nga artistet formojnë një realitet duke përdorur një përzierje të pazakontë të realitetit siç janë objektet profane, portretet, nudot, elementet simbolike, me një transformim imagjinar duke i vendosur këto motive me përmasa dhe forma të pazakonta. Bota asociative e këtyre veprave është e fshehtë, e pasuruar shpirtërisht dhe e servuar me një mjeshtëri.
Pra, artistet femra, me vizionin e tyre të guximshëm në këtë aktivitet ndërkombëtar, jo vetëm që shpërfaqin mozaikun e diversitetit etnik dhe kulturor të Maqedonisë së Veriut, por edhe demonstruan unitetin dhe solidaritetin që krijon arti dhe këtë e realizuan, me forcën e qenies femërore duke e çliruar një ulërimë artistike, që jehoi si një mendim, si një ide apo si një koncept, pikërisht në Stamboll, në qytetin përplot histori, kulturë dhe art.
Në ekspozitë ishin të pranishëm personalitete nga fusha e artit, kulturës, arsimit, mjekësisë të cilët me prezencën e tyre e madhështuan këtë ngjarje.
Ky bashkëpunim ndërkulturor dhe kjo iniciativë u bë realitet me angazhimin e drejtorit të Qendrës Kulturore Informative të Stambollit, Mr. Valmir Aziri, bashkëpunëtores Hulja Hilmi dhe artistes Ebru Selman.