Studentët e vitit të katërt të programit studimor Art Figurativ, Armina Samahodaj dhe Ensar Feta të vlerësuar me mirënjohje si studentë të dalluar të gjeneratës së vitit 2023/24 sipas notës mesatare, bashkë me profesorët e tyre Prof. Ord. Nora Halimi dhe Prof. Ord. Nehat Beqiri morën pjesë në ekspozitën tashmë tradicionale të emërtuar si Profesorë + Studentë e cila u hap më 14 qershor 2024 në Galerinë e Qendrës Kulturore Rinore në Shkup.
Në këtë ekspozitë marrin pjesë profesorë universitarë dhe studentë të institucioneve më relevante shtetërore dhe private nga fusha e arteve figurative dhe aplikative në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si: Fakulteti i Arteve Figurative i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, Akademia Figurative e Universitetit “Goce Delçev” të Shtipit, Fakulteti i Arteve dhe Dizajnit i Universitetit Ndërkombëtar të Ballkanit, Fakulteti për Dizajn dhe Multimedia i Universitetit AUE-FON, Fakulteti për Art dhe Dizajn i Universitetit Evropian si dhe “Skala”, shkolla per dizajn dhe art.
Në parathënien e katalogut të kësaj ekspozite, profesori Kiril Penushliski thekson se vetë numri i institucioneve pjesëmarrëse si dhe programet e ndryshme akademike të cilat i ofrojnë ata, flet shumë për ndryshimet dhe zhvillimin e vetëdijes kulturore dhe figurative në vendin tonë në qindvjeçarin e fundit.
Në këtë ekspozitë janë prezantuar vepra nga fusha e pikturës, grafikës, skulpturës, dizajnit grafik, ilustrimit dhe dizajnit industrial.
Prodekania për shkencë Prof. Ord. Nora Halimi, njëherit edhe pjesëmarrëse në këtë ekspozitë vlerësoi rëndësinë e ekspozitave të këtilla të cilat janë një mundësi e mirë për shkëmbim të përvojave, programeve arsimore, teknikave figurative dhe praktikave artistike të cilat reflektojnë produktin real artistik të skenës artistike në vendin tonë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 23 qershor 2024.