Universiteti i Tetovës shënon një tjetër sukses të rëndësishëm në fushën e kërkimit shkencor.

Prof. Dr. Kimet Jusufi nga Departamenti i Fizikës, është përfshirë në listën vjetore “Top 2% Scientists 2026”, të studiuesve me ndikimin më të lartë në komunitetin shkencor botëror. Në këtë renditje, Prof. Dr. Jusufi pozicionohet i pari ndër studiuesit nga Maqedonia e Veriut të përfshirë në listë.

Kjo renditje e bazuar në tregues bibliometrikë të cilët e  matin ndikimin e publikimeve dhe veprimtarisë kërkimore – shkencore, dëshmon për jehonën dhe ndikimin e punës së Prof. Dr. Kimet Jusufit në komunitetin shkencor ndërkombëtar.

Për Universitetin e Tetovës, ky vlerësim është arritje e veçantë dhe dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm ndaj kërkimit shkencor, ekselencës akademike dhe afirmimit ndërkombëtar të veprimtarisë shkencore.

Njëkohësisht, ky sukses është edhe burim krenarie e frymëzimi për studentët, studiuesit dhe brezat e rinj akademikë, sepse dëshmon se puna cilësore mund të arrijë nivele të larta të vlerësimit në arenën shkencore ndërkombëtare.

Universiteti i Tetovës e përgëzon Prof. Dr. Kimet Jusufin për këtë arritje të spikatur dhe për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin dhe afirmimin e shkencës, si dhe në rritjen e prestigjit ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës.

Burimi: TOPSCINET, bazuar në të dhënat e Elsevier Data Repository.