//Profesori i UT-së Doc. Dr. Faton Shabani ligjëroi në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut

Profesori i UT-së Doc. Dr. Faton Shabani ligjëroi në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut

2019-04-22T13:41:26+00:00 Prill 22, 2019|
Me ftesë të Fakultetit Juridik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ligjëruesi i Fakultetit Juridik i Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Faton Shabani, më 16 prill 2019, para studentëve të Universitetit “Aristoteli”, e mbajti ligjëratën me temë: “Investimet e huaja direkte në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Në fillim të prezantimit, profesor Shabani i prezantoi arsyet që i favorizojnë investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut, duke u mbështetur kryesisht në stabilitetin makro – ekonomik, sistemin financiar, infrastrukturën në zhvillim, tregtinë e jashtme, marrëveshjet e lira tregtare, tregun dhe fuqinë e punës.
Sipas Doc. Dr. Faton Shabani, element tjetër i rëndësishëm që shërben në mënyrë të suksesshme në tërheqjen e investimeve të huaja, është edhe krijimi i të ashtuquajturave zona të lira ekonomike, të cilat ofrojnë përfitime serioze për investitorët e huaj që janë të interesuar të investojnë në Maqedoninë e Veriut.
Në fund të ligjëratës, Doc. Dr. Faton Shabani, hodhi dritë mbi pritjet, që bazuar në të dhënat e ofruara nga Banka Popullore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, me të drejtë janë pozitive për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, si rezultat i afrimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Pas mbarimit të ligjëratës, Doc. Dr. Faton Shabani, së bashku me Prof. Dr. Panayotis Glavinis dhe Alexis Athanassopoulos (anëtar i bordit të drejtorëve të kompanisë Vardax), ishin pjesë e panelit të diskutimit duke iu përgjigjur pyetjeve dhe interesimit të theksuar të studentëve në lidhje me klimën investuese në fqiun verior të tyre.
Ligjërata profesionale – shkencore, Doc. Dr. Faton Shabani, ka realizuar edhe viteve të kaluara në universitete të tjera prestigjioze nga rajoni dhe arena ndërkombëtare.

Zyra për Informim