Profesori i programit studimor të Fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore në kuadër të UT-së, Doc. Dr. Kimet Jusufi, më 23 dhjetor 2020, nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski, është shpallur shkencëtari i vitit.
Profesori i UT-së ka një biografi të pasur arsimore-shkencore, ka zhvilluar një veprimtari intensive hulumtuese dhe punimet e tij shkencore janë botuar në revistat prestigjioze ndërkombëtare. Me vokacion fizicient dhe me një pasion të rrallë në këtë fushë shkencore, Doc. Dr. Kimet Jusufi, për brezin e tij dhe gjeneratat e reja ka krijuar figurën e një shkencëtari model që duhet ndjekur. Çmimi i fituar nga presidenti i vendit, vetëm se e konfirmon kapacitetin e tij intelektual e shkencor dhe ua trason rrugën sukseseve të tjera në karrierën e tij profesionale.
Krahas angazhimit në procesin mësimor, kandidati është marrë vazhdimisht me hulumtime shkencore në fushën e fizikës teorike, me theks të veçantë: Rrezatimi i Hokingut; Vrimat e zeza; Wormholes; Përthyerja e dritës në fushë gravitacionale; Defektet topologjike dhe Mekanika kuantike.
Veprimtaria shkencore-hulumtuese e Doc. Dr. Kimet Jusufit përbëhet nga 66 artikuj shkencorë të botuar në revista shkencore ndërkombëtare. Ai posedon 1413 citime të artikujve në Google Scholar – https://scholar.google.com/citations?hl=en&user=3SEfKlkAAAAJ, shumica e punimeve të indeksuara dhe në SCOPUS https://www.scopus.com/authid/detail.uri?authorId=56884719300
Nga viti 2012-2020 ka qenë i angazhuar si asistent dhe ligjërues part-time në Universitetin e Tetovës dhe njëkohësisht nga vitit 2013-2020 ka punuar si profesor i fizikës në gjimnazin e Gostivarit. Më datë 22.12.2020 ka marrë thirrjen docent në Universitetin e Tetovës.