Sot, në ambientet e Shkollës së mesme të muzikës “Todor Skalovski – Tetovec” në Tetovë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës e realizoi një punëtori muzikore me nxënësit e kësaj shkolle.
Ky aktivitet u organizua nën udhëheqjen e shefit të programit studimor të Artit Muzikor, Prof. Ord. Bajramali Idrizi, dhe prodekanit për shkencë në këtë njësi akademike, Prof. Dr. Fatos Lumani. Ata theksuan rëndësinë e ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe artistike, si dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të nxënësve në proceset praktike mësimore.
Punëtoria u realizua nga profesoreshat Arjana Kuriu Grubi dhe Teuta Alimi Selmani, të cilat përmes qasjeve të tyre profesionale në fushat e pianos dhe solfezhit ofruan një trajnim të strukturuar dhe ndërveprues.
Përmes ushtrimeve praktike dhe udhëzimeve profesionale, nxënësit patën mundësi t’i thellojnë njohuritë e tyre dhe të fitojnë përvoja të reja që kontribuojnë në formimin e tyre muzikor.
Punëtoria u vlerësua si një hap i rëndësishëm në përgatitjen e brezave të rinj të muzikantëve dhe në forcimin e rolit të praktikës në mësimdhënien artistike.


















