Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës, përmes organizimit të punëtorisë “Orientimi profesional – rruga drejt përzgjedhjes së profesionit”, më 27 prill 2026, para maturantëve të shkollës së mesme “Nikolla Shtejn” në Tetovë dhe të shkollës së mesme “Gostivari” në Gostivar, i prezantoi programet studimore të Universitetit të Tetovës për vitin akademik 2026/2027.

Gjatë punëtorisë, maturantët u njohën me ofertën akademike, drejtimet studimore, si dhe me mundësitë për zhvillim profesional që ofron Universiteti i Tetovës. Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së përzgjedhjes së duhur të profesionit, në përputhje me interesat dhe aftësitë individuale të nxënësve.

Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar në ofrimin e arsimit cilësor, duke u mundësuar studentëve përfitimin e njohurive të avancuara dhe zhvillimin e kompetencave profesionale.

Si një institucion që nxit mendimin kritik dhe adreson çështje të rëndësishme shoqërore, Universiteti synon të përgatisë profesionistë të përgjegjshëm, të cilët do të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më humane dhe më të zhvilluar.