Marrëveshja në fjalë ka për qëllim bashkëpunimin afatgjatë midis dy qendrave, për të përkrahur qëllimet e tyre strategjike në fushën e ndërtimit të paqes, të sigurisë, të drejtësisë tranzicionale dhe sundimit të ligjit.
Drejtuesit e qendrave përkatëse u pajtuan që rëndësi e veçantë t’u kushtohet publikimeve të përbashkëta mbi çështjet e drejtësisë tranzicionale dhe ndërtimit të paqes, si dhe organizimit të punëtorive, trajnimeve dhe vizitave studimore.
“Konteksti historik i pasluftës në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të ngelet i atillë që viktima të jetë në qendër të çdo debati falë kontributit të Fondit për të Drejtën Humanitare, i cili në vazhdimësi ka synuar t’i kundërvihet mohimit dhe manipulimit politik të humbjeve njerëzore. Sublimja qëndron në faktin që kjo organizatë me vite është kujdesur që viktimat të kenë emra dhe mbiemra. Vetëm duke u ballafaquar me të kaluarën ne mund të nxjerrim leksion për të vendosur paqe, duke e promovuar atë në mënyrë të paekuivokë, përmes dialogut, edukimit dhe trajnimit të studentëve, kryesisht studentëve nga Fakulteti Juridik, të cilët do të jenë përfituesit kryesorë nga ky bashkëpunim dhe prej të cilëve sidomos, pritet një përkushtim akoma më i madh në sferën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë tranzicionale dhe zbatimit të mekanzimave të saj” – theksoi Mr. Sc. Donika Kamberi.
Ndërkaq Bekim Blakaj, drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare ka bërë të ditur që partneriteti i sapokrijuar me Qendrën për Paqe dhe Komunikim Transkulturor kontribuon në misionin tonë final, atë të ndërtimit të paqes veçanërisht duke u përballur me të kaluarën, sundimin e ligjit dhe drejtësinë tranzicionale.
Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor e Universitetit të Tetovës me nënshkrimin e marrëveshjes së lartpërmendur, pritet që ta intensifikojë edhe më shumë veprimtarinë e saj institucionale në shërbim të paqes e stabilitetit në rajon dhe më gjerë.