Qendra për paqe dhe komunikim transkulturor e Universitetit të Tetovës dhe Qendra për hulumtime post-konfliktuale me seli në Sarajevë (Bosnjë dhe Hercegovinë), më 28 janar 2022 kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Marrëveshja në fjalë ka për qëllim bashkëpunimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm midis dy qendrave, për të përkrahur qëllimet e tyre strategjike në fushën e ndërtimit të paqes, sigurisë, lirive dhe të drejtave të njeriut dhe trajnimeve mbi zgjedhjen e konflikteve dhe dialogut në vend dhe në rajon.

Drejtueset e qendrave përkatëse, Velma Sariç, njëherësh edhe kryeredaktore e gazetës “Balkan Diskurs”, me Donika Kamberin u pajtuan që rëndësi e veçantë t’i kushtohet publikimeve të përbashkëta mbi çështjet e sigurisë, lirive dhe të drejtave të njeriut dhe ndërtimit të paqes, si dhe organizimit të punëtorive, trajnimeve dhe seminareve, kontribuuesit e të cilit do të jenë stafi akademik dhe studentët. Palët gjithashtu ranë dakord që dy qendrat do t’i realizojnë aktivitetet e tyre bazuar në burimet dhe potencialin që disponojnë.

Sipas Mr. Sc. Donika Kamberit, drejtuese e Qendrës për paqe dhe komunikim ndërkulturor e Universitetit të Tetovës, ky memorandum vendos bazat e një bashkëpunimi duke u pajtuar në pikat specifike, por vizioni, qëllimet dhe interesat e përbashkëta hapin rrugën për një mori aktivitetesh në ndërtimin e paqes, sidomos në vendet tona që kanë një të kaluar me konflikte.

“Konteksti historik, sidomos e kaluara e përbashkët, nuancat e së cilës janë edhe sot të pranishme në mesin e shoqërive tona, janë mësimi më i mirë që mund të nxjerrim për të vendosur paqe, duke e promovuar atë në mënyrë të pa ekuivokë, përmes dialogut, edukimit dhe trajnimit të studentëve, kryesisht ata të shkencave sociale, të cilët do të jenë përfituesit kryesorë nga ky bashkëpunim. Nga ato pritet vendosja e drejtësisë sociale, si dhe zgjedhja e konflikteve përmes dialogut, si rruga e vetme që mundëson paqen e qëndrueshme në shoqëritë tona me dallime të theksuara kulturore, etnike dhe fetare, andaj me anë të këtij memorandumi hapim rrugë për bashkëpunim më të thellë rajonal në fushat e lartpërmendura” – theksoi Mr. Sc. Donika Kamberi.

Ndërkaq Velma Sariç ka bërë të ditur se qendra që ajo përfaqëson angazhohet që të shërbejë si urë lidhëse midis shoqërisë civile dhe institucioneve akademike. “Që nga themelimi ynë në 2011, qendra që unë drejtoj e ka bazuar punën e saj në partneritete dhe bashkëpunime të suksesshme.  Si qendër kërkimore dhe organizatë jofitimprurëse, ne jemi të përkushtuar të shërbejmë si një urë lidhëse midis shoqërisë civile dhe akademisë për të forcuar njohuritë për sukseset dhe dështimet në fushën e ndërtimit të paqes dhe parandalimin e konflikteve, për të promovuar inovacionin, për të avancuar mirëkuptimin dhe për të promovuar praktikat më të mira.  Partneriteti ynë i sapokrijuar me Qendrën për Paqe dhe Komunikim Transkulturor kontribuon në këtë ide, veçanërisht pasi ai e çon më tej rrjetin tonë të partnerëve rajonalë në Ballkanin Perëndimor dhe kontribuon në promovimin e nismave demokratizuese në nivel lokal, veçanërisht ato që lidhin të rinjtë me shoqërinë civile lokale”- ka deklaruar Velma Sariç.

Qendra për paqe dhe komunikim transkulturor e Universitetit të Tetovës me nënshkrimin e marrëveshjes së lartpërmendur, pritet që ta intensifikojë edhe më shumë veprimtarinë e saj institucionale në shërbim të paqes e stabilitetit në rajon dhe më gjerë.