Një grup prej 40 studentësh dhe 11 profesorësh nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës realizuan me sukses një vizitë studimore në Shqipëri dhe Mal të Zi, me qëllim zgjerimin e njohurive historike, kulturore dhe arsimore të studentëve, si dhe ndërlidhjen e përmbajtjeve teorike me përvojën praktike në terren.

Vizita përfshiu disa nga qendrat më të rëndësishme historike dhe kulturore të hapësirës shqiptare dhe rajonale. Në qytetin e Lezhës, studentët vizituan Memorialin dhe varrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ku u njohën me rëndësinë historike të Besëlidhjes së Lezhës dhe rolin e Skënderbeut në historinë  tonë.

Gjatë qëndrimit në Shkodër, studentët e vizituan Kalanë e Rozafës dhe monumente të tjera kulturore e historike të qytetit, duke mësuar mbi trashëgiminë shekullore, arkitekturën dhe zhvillimin kulturor të një prej qyteteve më të rëndësishme shqiptare.

Vizita vijoi edhe në Kotor, Budvë dhe Ulqin, ku studentët përfituan njohuri të reja për trashëgiminë ilire, romake dhe mesjetare të rajonit, si dhe me rëndësinë historike, turistike dhe kulturore të këtyre qyteteve.

Ky aktivitet u realizua me synim forcimin e identitetit profesional, kulturor dhe kombëtar të studentëve, duke krijuar hapësirë për mësim aktiv, bashkëpunim dhe reflektim mbi rëndësinë e trashëgimisë historike në procesin edukativ.