Bazuar në konceptin e ri për arsimin fillor, Katedra e Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, në parim shpreh dakordim të plotë për domosdoshmërinë e miratimit të programit të ri mësimor, për lëndën e historisë në shkollat fillore dhe të mesme. Por, duke ndjekur aktivitetin rreth përpilimit të programit dhe duke analizuar programet e reja të publikuara për lëndën mësimore të historisë dhe shoqërisë për kl. V, kl. VI dhe kl. VII, në arsimin fillor, evidentuam disa vërejtje serioze, të cilat sipas vlerësimit tonë janë të kontestueshme, meqë:
- Në këtë grup punues për përpilimin e programit mësimor të historisë nuk janë përfshirë historianë shqiptarë, derisa në komisionin paraprak kanë qenë 4 anëtarë shqiptarë nga 11 anëtarët e komisionit.
Si epilog i mospërfshirjes së historianëve shqiptarë janë evidentuar përmbajtje joshkencore, si p.sh.:
- “Ilirët dhe Dardanët”, (Programi i kl. VI fillore) nuk është përmbajtje shkencore, meqë dardanët janë njëri nga fiset ilire. Një përmbajtje e këtillë jo vetëm që është jo shkencore, por është një tentativë për të shkëputur dardanët nga trungu i fiseve ilire;
“Shqipëria në Mesjetën e hershme”, (Programi i kl.VII fillore);
“Shqipëria në Mesjetën e zhvilluar”, (Programi i kl. VII fillore) dhe
“Kryengritja e Skënderbeut” (Programi i kl. VII fillore).
Titujt e përmbajtjeve nuk janë shkencorë, sepse në Mesjetën e hershme, të mesme dhe të zhvilluar nuk ka ekzistuar nocioni “Shqipëri”, meqë atëbotë shqiptarët janë quajtur “arbër” dhe logjikisht vendi ku kanë jetuar është quajtur “Arbëri”.
– Përmbajtjet, respektivisht struktura e përmbajtjeve, rrjedhimisht edhe standardet dhe shembujt e aktiviteteve si pjesë e programeve, konstatojmë se nuk përmbushin pasqyrimin e mjaftueshëm dhe adekuat të historisë së popullit shqiptar. Qasja e këtillë hera-herës është fragmentuese, sipërfaqësore dhe nuk ndjek linjën e parimit didaktik kronologjik me ç’rast prodhon konfuzion kronologjik dhe mospeshim adekuat historik të ngjarjeve dhe proceseve në historinë e popullit shqiptar;
– Në aspektin e përfaqësimit dhe krahasimit me numrin e përmbajtjeve të historisë së popujve të Ballkanit vërehen ndrydhje të ndjeshme në disfavor të historisë së popullit shqiptar. Bazuar në përfaqësimin numerik të programeve të vjetra klasa e 6-të kishte 4 njësi, te programet e reja për klasën e 6-të ka 1 ose 2 njësi, ndërsa klasa e 7-të ka pasur 10 njësi, tani ka 3 ose 4 njësi. Ky moment mund të vërehet dukshëm në drejtim të zvogëlimit ose përgjysmimit të përmbajtjeve që trajtojnë historinë e popullit shqiptar. Gjithsesi se është e drejtë që përmbajtja e programeve duhet të ndjekë parimin e aftësive dhe moshën e nxënësve, ndërkaq ky parim duhet zbatuar në mënyrë proporcionale dhe adekuate në raporte të përfaqësimit të historisë së popujve që jetojnë në RMV. Rjedhimisht konstatojmë se formati i këtillë i programit ka lëshime të ndjeshme në raport me reflektimin e përbërjes multietnike të shtetit tonë. Së këndejmi, jemi të bindur se e gjithë kjo do të reflektojë drejt varfërimit të interkulturalitetit historik dhe atij aktual në shoqërinë tonë.
Duke u mbështetur në argumentet e mësipërme dhe duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeje, apelojmë dhe njëherit shpresojmë se ka mjaftueshëm kohë që Ministria e Arsimit të RMV-së, akoma pa i miratuar tekstet shkollore (të cilat sipas informatave tona janë në proces të miratimit), të zbatojë mekanizma adekuatë për të ndërmarrë aktivitete në drejtim të përfilljes së vërejtjeve dhe sugjerimeve tona për të pasur programe mësimore të cilat sigurojnë pranueshmërinë inkluzive për të gjithë nxënësit në RMV, si qasje e cila buron nga standardet nacionale të parashtruara në preambulën e secilit program.
Shpresojmë se reagimi ynë, si profesionistë të shkencës së historisë do të kuptohet drejt, në të mirë të realizimit sa më të suksesshëm të programit të historisë për shkollat fillore dhe të mesme.
Me respekt.
Profesorët e Katedrës së Historisë në Fakultetit Filozofik – UT.
Prof. Dr. Hiriete Ziberi______________________________________________
Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi____________________________________________
Prof. Dr. Fehari Ramadani___________________________________________
Prof. Dr. Qerim Dalipi_________________________________________________
Prof. Dr. Zeqirja Idrizi________________________________________________
Prof. Dr. Isak Sherifi___________________________________________________
Tetovë, 02.06.2025