Në vitin jubilar të themelimit të Universitetit të Tetovës, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e dhënë në drejtimin dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, ndau mirënjohje për rektorët të cilët ndër vite e kanë drejtuar këtë institucion, Prof. Dr. Nexhbedin Beadini, Prof. Dr. Sadi Bexheti, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prof. Dr. Reshat Qahili si dhe Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Ai në fjalën e tij tha se me këtë akt, udhëheqësia e këtij institucioni  përkujdeset që të nderojë dhe të respektojë kontributin e secilit rektor, për rritjen dhe zhvillimin e UT-së në periudha të ndryshme që nga themelimi e deri në këtë vit jubilar kur ne festojmë 30-vjetorin e themelimit.

“Ky takim sot, është sa falënderues, po aq edhe konsultativ, motivues e korrigjues për të ndërtuar edhe vizionin e së ardhmes. Bashkë me gjithë rektorët e deritanishëm vlerësuam se ky universitet ka një histori mjaft të veçantë, mjaft të begatë që nga momenti i themelimit, organizimit, zhvillimit, perspektivës, misionit dhe vizionit të tij. Ne si udhëheqësi e pamë të arsyeshme që sot ta vlerësojmë sikurse çdo herë, punën e secilit rektor të deritanishëm, për arsye se betejat, në çdo fazë të zhvillimit të Universitetit tonë kanë qenë mjaft specifike e me shumë sfida, vështirësi por edhe me produktivitet dhe falë punës, angazhimit dhe mundit të secilit rektor, institucioni ynë ka arritur të zhvillohet dhe të bëhet konkurrent real në sferën e arsimit, dijes dhe shkencës, me një infrastrukturë mjaft të avancuar me staf dhe personel akademik të përgatitur mirë. Ne po ashtu shfaqim mirënjohje edhe për të gjithë rektorët të cilët fizikisht nuk gjenden në mesin tonë duke filluar nga Rektori i parë historik, themeluesi i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe gjithë rektorët tjerë që fizikisht s’janë mes nesh.” – shtoi mes tjerash Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Ndërkohë ish-rektorët e UT-së vlerësuan se kushdo që e ka drejtuar UT-në, përveç përgjegjësisë dhe angazhimit që ka pasur në drejtimin e këtij tempulli, duhet të ndihet krenar për çdo moment, për shkak se u plotësua dhe u realizua ëndrra e shqiptarëve për ngritjen e UT-së në të njëjtin piedestal me universitetet vendore dhe ka arritur shtrirje të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare duke krijuar partneritet me universitete me renome nga Evropa dhe SHBA-ja.

Po ashtu ata theksuan se në çdo moment do të jenë bashkëpunëtorë, korrigjues dhe mbështetës të vizionit dhe misionit që ka Universiteti i Tetovës.