Kryetarët e sindikatave të universiteteve publike të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit”, Universitetit “Goce Dellçev” – Shtip, Universitetit “Nënë Tereza” dhe  Universitetit “Shën Apostull Pauli” u pritën në takim nga Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Drejtuesit e sindikatave të sipërpërmendura, bashkë me kryetarin e sindikatës së Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Shefket Dehari dhe nënkryetarin Ali Salihi,  e njoftuan Rektorin për aktivitetet e përbashkëta të cilat i ka zhvilluar dhe planifikon t’i zhvillojë sindikata në të ardhmen, në mesin e të cilave është krijimi i Unionit të Sindikatave të Universiteteve Publike në vend.

Rektori i UT-së i përgëzoi për këtë hap të rëndësishëm duke e vlerësuar edhe punën e tyre të deritanishme, siç ishte nënshkrimi i Marrëveshjes kolektive për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit në arsimin e lartë në vendin tonë.

Në këtë takim u evidentua roli pozitiv i sindikatave në institucionet publike për t’i respektuar të drejtat themelore të punonjësve dhe kontributi i tyre në zhvillimin e përgjithshëm të universiteteve shtetërore në vendin tonë.