Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, sot priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Në këtë takim u diskutua mbi rëndësinë e proceseve euro integruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do të ishte realizimi i ëndrrës së shumëpritur e shumë të rinjve tanë, të cilët dita-ditës po migrojnë në vende të ndryshme të Evropës për një jetë sa më të mirë. Sipas tij, me integrimin në Bashkimin Evropian shumë të rinj e të reja kontributin e tyre do ta jepnin në vendin tonë pasi që do të kishin mundësitë e barabarta me bashkëmoshatarët e tyre në të gjitha sferat. Ai po ashtu tha se, Universiteti i Tetovës vazhdon të rreshtohet në një vijë me të gjitha institucionet, që e duan anëtarësimin e vendit tonë në familjen e madhe evropiane.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se vendi ynë ndodhet para një procesi shumë të rëndësishëm historik, sipas tij, me miratimin e ndryshimeve kushtetuese Republika e Maqedonisë së Veriut do ta ketë edhe më të lehtë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai më tej shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që përfaqëson që të mbështesë çdo iniciativë për bashkëpunim me Universitetin e Tetovës, me theks të veçantë programet dhe projektet që ndërlidhen me politikën e jashtme dhe sigurinë.
Në këtë takim gjithashtu u diskutua edhe për tema të tjera që janë preokupim jo vetëm për vendin tonë, por edhe më gjerë.
Zyra për informim