Me ftesë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, mori pjesë në konferencën shkencore me temë: “Ndryshimet gjeopolitike dhe sfidat për shtetin e Kosovës”, e cila u mbajt në Prishtinë.

Në konferencë ishin të pranishëm personalitete të shquara akademike, studiues dhe ekspertë nga rajoni, të cilët trajtuan zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në perspektivën shtetërore, politike dhe shoqërore të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rektori i UT-së, zhvilloi një takim pune me Kryetaren e ASHAK-ut, Akad. Justina Shiroka-Pula. Në këtë takim u diskutua për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe projekteve të përbashkëta akademike.

Në konferencë morën pjesë edhe personalitete të njohura të jetës akademike dhe publike, ndër të cilët Prof. Dr. Arsim Bajrami, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Akad. Isa Mustafa, Prof. Dr. Migena Gorenca, Prof. Dr. Gjyljeta Mushkolaj, Akad. Frashër Demaj, si dhe studiues e ekspertë të tjerë të shquar.

Përmes pjesëmarrjes në aktivitete të tilla shkencore, Universiteti i Tetovës vazhdon të forcojë rolin e tij si institucion i rëndësishëm akademik në hapësirën shqiptare, duke mbështetur iniciativat që nxisin mendimin kritik, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe avancimin e dijes.