Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli mori pjesë në aktivitetin e shënuar të Ambasadës së Italisë në vendin tonë, të mbajtur më 4 shtator 2023, në Shkup, ku u bë prezantimi i kandidaturës së qytetit të Romës për të organizuar panairin më të madh botëror, Expo 2030.

Në këtë eveniment promovues, Rektori i Universitetit të Tetovës pati mundësinë që të zhvillojë disa takime me personalitete të ndryshme, në mesin e të cilëve, me kryebashkiakun e qytetit të Romës, Roberto Gualtieri, ambasadorin e Italisë në Shkup, Andrea Silvestri, ambasadorin e BE-së, David Geer, si dhe shumë personalitete të tjerë. Ai në këto takime theksoi se, Universiteti i Tetovës vazhdimisht po bën përpjekje për ngritje të cilësisë, por gjithashtu tha se, është e nevojshme një reformë gjithëpërfshirëse në sferën e arsimit, duke filluar nga arsimi fillor, i mesëm dhe deri në atë sipëror. Sipas tij, një shoqëri mund të zhvillohet dhe të arrijë në piedestale të larta në çdo sferë të jetës vetëm me arsimim cilësor, duke i dhënë tregut të punës profesionistë, të cilët do të kontribuojnë për të mirën e përgjithshme.

Veç kësaj, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli zhvilloi takime edhe me profesorin Paolo Carafa, zëvendës Rektor i Universitetit La Sapienza. Me këtë rast, ai tha se, Universiteti i Tetovës deri më tani ka një shtrirje të mirë në rrafshin ndërkombëtar dhe është gjithmonë i interesuar për krijimin e partneriteteve të reja me universitete prestigjioze ndërkombëtare. Sipas tij, do të ishte një mundësi shumë e mirë në të ardhmen nëse mes dy universiteteve do të lidhet një memorandum bashkëpunimi për të bashkërenduar në një agjendë, organizimin e shumë aktiviteteve arsimore – shkencore, vizitat dhe mobilitetin e stafit dhe studentëve, si dhe aktivitete të tjera.

Zyra për informim