Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë Prof. Dr. Nevzat Elezi pritën në takim Kryetarin e Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve, z. Rifat Latifi bashkë me ekipin e tij.
Me këtë rast Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli e uroi z.Rifat Latifi për themelimin e Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj nisme për bashkimin profesional dhe shkencor të kirurgëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporë. Ai theksoi gatishmërinë e Universitetit të Tetovës për të kontribuar në zhvillimin e kolegjit përmes kapaciteteve akademike dhe shkencore të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë duke shprehur gatishmëri të plot për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional, me synim avancimin e kërkimit shkencor dhe zhvillimin e kirurgjisë në hapësirën shqiptare.
Kryetari i Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve, Prof. Dr. Rifat Latifi, theksoi se kolegji do të ketë përfaqësi të veçanta në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë, duke shtuar se në ditët në vijim do të plotësohen edhe organet e tjera drejtuese të kësaj strukture profesionale. Ai ndër të tjera theksoi se kjo do të shërbej si platformë rrjetëzimi profesional për kirurgët shqiptarë dhe do të mundësoj shkëmbim përvojash klinike, publikime shkencore, krijimin e projekteve të përbashkëta mes spitaleve dhe universiteteve në fushën e kirurgjisë si dhe shumë aktivitete të tjera.
Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, nënvizoi rëndësinë e krijimit të një databaze të përbashkët në kuadër të kolegjit, si një platformë e cila do t’u mundësonte kirurgëve ruajtjen e punimeve të tyre shkencore, ndërsa hulumtuesve dhe profesionistëve do t’u ofronte një pikë referimi për kërkime dhe informacione profesionale në fushën e kirurgjisë.
Në këtë takim po ashtu u tha se përveç aspektit profesional, kolegji në të ardhmen duhet të krijojë një rrjet mes kirurgëve dhe studentëve duke ndihmuar edhe në projekte kërkimore dhe zhvillim të karrierës së tyre.






