Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti priti në takim grupin e studentëve të Klinikës Juridike të Fakultetit Juridik të cilët ditë më parë morën pjesë në garat studentore “Ditët e gjykimit të simuluar” që u mbajtën në Universitetin Goce Dellcev në Shtip.
Fillimisht Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti përgëzoi studentët për suksesin e arritur në këto gara ku falë punës dhe angazhimit të tyre serioz arritën të shpërblehen me dy çmime: “Puna më e mirë ekipore” dhe çmimi “Shkresat më mirë të përgatitura”. Sipas tij, arritjet dhe sukseset e studentëve janë një nder i madh që i bëjnë Universitetit të Tetovës përkatësisht Fakultetit Juridik. Ky sukses i juaji besoj të jetë nxitje edhe për studentët e njësive tjera akademike që në të ardhmen të marrin pjesë në gara dhe konkurse ku të rinjtë e sfidojnë njëri-tjetrin me dije.
Ai, më tej theksoi se studentët tanë në gjithë këto vite kanë dëshmuar kualitet, përgatitje, aftësi profesionale dhe kjo konfirmohet edhe në detyrat dhe pozitat që ata sot kanë në administratën shtetërore dhe në vende tjera udhëheqëse.
Studentët po ashtu morën lëvdata dhe përgëzime edhe nga Kryetari i Senatit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Prorektori për Financa Prof. Dr. Faton Shabani të cilët i inkurajuan ata që të vazhdojnë punën me shumë profesionalizëm që në të ardhmen të jenë frymëzim për shumë gjenerata tjera.
Dekani i Fakulteti Juridik Prof. Dr. Jusuf Zejneli, bashkë me ekipin e tij Prof. Dr. Drita Mamuti, Doc. Dr. Njomza Selimi Osmani dhe avokatin Ibraim Bajrami në emër të studentëve falënderuan udhëheqësin e Universitetit për mbështetjen e vazhdueshme që ua japin studentëve në realizimin e projekteve të ndryshme që kanë për qëllim përgatitjen dhe avancimin e tyre profesional.