Me marrjen e lajmit të hidhur, kumtit për ndarjen nga jeta të atdhetarit, patriotit, veprimtarit të çështjes shqiptare Adem Demaçit, më lejoni që në emër të Universitetit të Tetovës, t’ju shpreh ngushëllimet vëllazërore institucioneve të Republikës së Kosovës, presidencës, qeverisë, kuvendit, Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Universitetit të Prishtinës, institucioneve arsimore – shkencore për të cilat Baca Adem sakrifikoi deri në vetëmohim, familjes së nderuar Demaçi, bashkëpunëtorëve, miqve dhe bashkëkombësve tanë.
Adem Demaçi, humanisti dhe sendërtuesi i ideve universale demokratike, do të kujtohet nga mbarë kombi për sakrificat sublime për arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare, do të mbetet përjetësisht në kujtesën tonë kolektive si simboli i sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, intelektuali vizionar e qytetari fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij e vendosi në shërbim të idealeve të mëdha për kauzën tonë kombëtare.
Si atdhetar i rangut më të lartë, ai do të mbetet një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore. Roli dhe rëndësia historike e tij është përjetësuar në historinë më të re të popullit shqiptar.
Vepra dhe autoriteti monumental, ka në themele dashurinë për atdhe dhe bashkim kombëtar, gatishmërinë për t’u flijuar dhe përpjekjet titanike për liri.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për simbolin e rezistencës kombëtare, Nderin e kombit – Adem Demaçin.
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës