Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marijan Dema, dhe prorektori për mësim dhe çështje studentore, Prof. Dr. Hysen Bytyqi, e vizituan Universitetin e Tetovës. Me këtë rast, ata zhvilluan një takim të përbashkët miqësor me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sekretarin e përgjithshëm, z. Adem Beadini dhe shefin e kabinetit të Rektorit të UT-së, Doc. Dr. Faton Shabani.
Ky takim kishte për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dy universiteteve në sfera të ndryshme, duke iu dhënë përparësi proceseve arsimore dhe atyre të hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet sot arsimi i lartë si në vendin tonë ashtu edhe në Republikën e Kosovës.
Në këtë takim, theks i veçantë iu kushtua edhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta mes dy universiteteve, si shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, organizimin e debateve, simpoziumeve dhe konferencave të përbashkëta shkencore, pjesëmarrjen aktive në projekte të ndryshme ndërkombëtare, sidomos në ato të cilat financohen nga Komisioni Evropian me qëllim që edhe universitetet tona të jenë në të njëjtën vijë me universitetet nga arena ndërkombëtare.
Pas përfundimit të takimit, dy rektorët shkëmbyen disa dhurata simbolike dhe bashkërisht vizituan edhe kampusin e Universitetit tonë. Po ashtu Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marijan Dema, ndoqën për së afërmi edhe aktivitetin e organizuar nga Parlamenti Studentor i UT-së, garat e shahut.
Zyra për Informim