Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në kabinetin e tij priti në takim klubin e atletikës “Studenti” të Universitetit të Tetovës. Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i klubit Prof. Dr. Bexhet Toci si dhe disa atletë të klubit, të cilët pas sukseseve që kanë shënuar këtë vit në ligën e Maqedonisë, trofetë e fituara ia dorëzuan Rektorit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Klubi i atletikës “Studenti” është pjesë e Universitetit të Tetovës, që nga themelimi i tij dhe ndër vite ka shënuar rezultate të njëpasnjëshme. Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, tha se mbështetja e Universitetit të Tetovës gjatë udhëheqjes së tij me Universitetin asnjëherë nuk ka munguar dhe se e njëjta do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Është kënaqësi për ne si Universitet që marrim pjesë me klubet tona në gara të ndryshme sportive në vendin tonë. Në mesin e klubeve sportive që funksionojnë në kuadër të Universitetit të Tetovës është edhe klubi i atletikës “Studenti”, një klub që ka nxjerrë kuadro mjaft të mira dhe profesionistë të vërtetë të atletikës. Kënaqësia është edhe më e madhe kur studentët tanë i shohim duke përfaqësuar reprezentacionin e vendit tonë në gara ndërkombëtare. Unë dëshiroj që në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emrin tim personal të falënderoj gjithsecilin nga Ju për kontributin tuaj që jepni në këtë sport, njëkohësisht dua të falënderoj edhe kryetarin e klubit njëherit edhe menaxher Prof. Dr. Bexhet Tocin për punën e tij që bën me klubin” – tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Kryetari i klubit të atletikës “Studenti”, Prof. Dr Bexhet Toci tha se klubi që ai drejton gjithmonë ka pasur rezultate të mira. “Vite më parë kemi fituar edhe kupën kampion edhe kupën për seniorë, por edhe këtë vit kemi treguar rezultate të kënaqshme, klubi ynë ka arritur të fitojë një vend të dytë dhe një vend të tretë dhe në total e kemi fituar vendin e tretë në ligën e Maqedonisë. Pra, ishte një rezultat shumë impozant edhe pse ne bëjmë pjesë vetëm në garat e vrapimeve dhe nuk bëjmë gara në disiplinat teknike. Vetëm me këto rezultate të disiplinave atletike ne arritëm të jemi të dytët dhe për këtë e falënderojmë Rektorin e Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti për mbështetjen që na e ka dhënë. Asnjëherë nga ana e tij dhe Universitetit të Tetovës nuk na ka munguar ndihma materiale dhe ne si klub vendosëm që t’ia dhurojmë kupat Rektorit që ato të qëndrojnë në vitrinat e Universitetit” – theksoi Prof. Dr. Bexhet Toci.
Këtë vit klubi i atletikës “Studenti” e ka edhe 20-vjetorin e themelimit. Ky klub numëron gjithsej 150 atletë, 50 përqind e klubit janë anëtarë të reprezentacionit të Maqedonisë dhe marrin pjesë nga të gjitha moshat prej pionerëve deri në seniorë, duke filluar nga mosha 6-vjeçare e deri në atë 40-vjeçare.