Kuvendi Universitar i Studentëve të Universitetit të Tetovës sot e shënoi Ditën Botërore të Shëndetit. Përmes organizimit të disa aktiviteteve, me moton “Së bashku për shëndetin”, studentët e Fakultetit të Mjekësisë sot për qytetarët e Tetovës organizuan matje të tensionit të gjakut dhe të nivelit të sheqerit, shpërndanë materiale edukative, si dhe ofruan informacion për kujdesin ndaj shëndetit.

Në këtë veprimtari sensibilizuese morën pjesë edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Nevzat Elezi, prodekania për shkencë e këtij fakulteti, Prof. Dr. Arbëresha Ferati Bexheti, si dhe kryetari i Kuvendit Universitar të Studentëve (UT), Leart Ibrahimi.

Ata theksuan nevojën për organizimin e veprimtarive të kësaj natyre, të cilat janë në funksion të vetëdijesimit të shoqërisë për parandalimin dhe trajtimin në kohë të problemeve shëndetësore. Organizatorët bënë thirrje se masat parandaluese ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kronike, si sëmundjet e zemrës, diabeti dhe kanceri. Sipas tyre kujdes i veçantë duhet t’u kushtohet edhe kontrolleve dhe ekzaminimeve të rregullta, për t’i zbuluar problemet shëndetësore sa më herët, pasi në të tilla raste edhe trajtimi është më i lehtë.

Dita Botërore e Shëndetit është një ngjarje vjetore e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për çështjet globale të shëndetit dhe të promovojë iniciativa për të përmirësuar rezultatet shëndetësore për të gjithë.