Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, sot organizoi turne në futboll të vogël me maturantët e shkollave të mesme nga Komuna e Likovës, Komuna e Çairit dhe Komuna e Tetovës. Fituese e turneut u shpall SH.M.K “Ismet Jashari” nga Likova pasi triumfoi në finale me rezultat 5 me 4, përmes penaltive ndaj Gjimnazit “7 Marsi” të Tetovës, ndërkaq vendi i tretë i takoi Gjimnazit të Sportit – Shkup.
Profesori i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Hyjnor Kica shprehu falënderimet e tij për skuadrat pjesëmarrëse në këtë turne, duke potencuar se ata janë në shtëpinë e tyre. “Qëllimi është që ne të promovojmë hapësirat tona, Universitetin tonë, por njëkohësisht edhe Fakultetin e Kulturës Fizike. Ju do të bëni çmos që nxënësit më të mirë t’i udhëzoni që ta gjejnë vendin, të vijnë aty ku u takon. Çdo sportist vendin e ka këtu. Qëllimi kryesor nuk është kush se fiton, pasi të gjithë do të marrin nga një diplomë. Normalisht që fryma garuese do të ekzistojë, prandaj edhe keni ardhur sot këtu, por mbi të gjitha të mbizotërojë loja e pastër dhe kush është më i mirë le të fitojë. Le të shoqërohen të rinjtë mes vete. Është kënaqësi që kanë ardhur edhe prej Shkupi dhe prej Kumanove dhe nesër, pasnesër ata mund të jenë edhe shokë të studimeve, kështu që është mirë edhe ju t’i udhëzoni që të promovojnë vlera e jo antivlera”, tha profesori i Kulturës Fizike, Prof. Dr. Hyjnor Kica.
Ideja e këtij turneu ishte enkas që maturantët të shohin nga afër hapësirat, posaçërisht terrenet sportive, sallat dhe pajisjet e tjera që i posedon Universiteti ynë, e që shërbejnë për aktivitete të ndryshme sportive dhe ta kenë më të lehtë për të bërë zgjedhjen e duhur në të ardhmen. Fakulteti i Kulturës Fizike gjithmonë ka përgatitur studentë që kanë korrur suksese në karrierën e tyre profesionale, jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë.