Të punësuarit në Universitetin e Tetovës, sot para hyrjes se Rektoratit organizuan protestë për nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive me Kryetarin e Parlamentit të RMV-së.
Protesta kishte për qëllim unifikimin e pagave në nivel shtetëror për të gjithë të punësuarit në universitetet shtetërore në RMV, siç është paraparë në Marrëveshjen Kolektive e cila ditë më parë është realizuar me Universitetin e Shkupit.
Kryetari i Sindikatës së Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefket Dehari në këtë protestë të stafit akademik dhe administrativ, shprehu pakënaqësinë dhe indinjatën e të punësuarve dhe anëtarëve të Sindikatës, që u krijua nga mosnënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive me Kryetarin e Parlamentit të RMV-së.
Ai theksoi se sindikatat janë të bashkuara dhe ndajnë mendimin e njëjtë se universitetet tona janë injoruar dhe diskriminuar nga Parlamenti dhe nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke mos nënshkruar Marrëveshjen Kolektive me pesë universitetet publike dhe duke mos u llogaritur pagat e të punësuarve sipas kësaj marrëveshjeje.
“Ne e përshëndesim nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive ndërmjet Kryetarit të Parlamentit dhe Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe si pasojë edhe vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave të punëtorëve të këtij universiteti, mirëpo njëkohësisht i porositim këto institucione se janë duke aplikuar standarde të dyfishta, diskriminim dhe pabarazi me pesë universitetet tjera publike në vend, sepse në RMV vlen njësoj Ligji i arsimit të lartë për të gjitha universitetet, prandaj edhe të ardhurat e të punësuarve në këto universitete duhet të jenë ekuivalente.” – nënvizoi Prof. Dr. Shefket Dehari.
Në përmbyllje të fjalës së tij ai i shpalosi kërkesat drejtuar Kuvendit të RMV-së, që janë:
-Nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive të bëhet para shpërbërjes së Parlamentit të RMV-së;
-Qeveria e RMV-së ta zbatojë këtë Marrëveshje Kolektive duke i llogaritur të ardhurat e të punësuarve sipas koeficientëve të paraparë në Marrëveshjen Kolektive.
Ai shprehu bindjen se Parlamenti dhe Qeveria si institucionet më të larta të shtetit do të gjejnë zgjidhje për dalje nga kjo situatë në të cilën kanë rënë vetë.
Protesta të ngjashme janë organizuar edhe në universitetet tjera publike me qëllimin e vetëm për të rikthyer dinjitetin, integritetin dhe drejtësinë për të gjithë të punësuarit e tyre.