Absolventët e programit studimor të Sociologjisë, në kuadër të lëndëve mësimore: Sociologji rurale dhe Sociologji urbane, nën udhëheqjen e Doc. Dr. Ardita Abdulit realizuan vizitë njëditore në fshatin Lin dhe në qytetin e Pogradecit të Republikës së Shqipërisë. Vizita u zhvillua me qëllim të vëzhgimit të drejtpërdrejtë të dallimeve midis fshatit – qytetit, analizës sociologjike dhe mënyrën e jetesës në fshatrat e Shqipërisë.
Përzgjedhja e vizitës në fshatin Lin ishte për faktin se ky fshat akoma edhe sot vazhdon të frymojë nën ombrellën e traditës, ku bujqësia dhe blegtoria zënë vendin kryesor në ekonominë e fshatit. Elementi tjetër sociologjik i këtij fshati qëndron edhe në marrëdhëniet sociale të banorëve. Ky fshat përbëhet nga banorë të dy konfesioneve religjioze: të krishterë dhe myslimanë dhe se feja nuk paraqet pengesë për lidhjen e martesave mes tyre, ndaj banorët e ruajnë miqësinë mes tyre duke i vizituar fqinjët e besimit tjetër edhe gjatë festave fetare. Përpos tjerash, brenga e këtij fshati në vitet e fundit është braktisja e tij nga rinia.
Ndërkaq, qyteti i Pogradecit, i njohur edhe si “qyteti i luleve”, përpos që është qytet turistik që shtrihet buzë liqenit të Ohrit, ai është i njohur edhe për traditat e lashta kulturore. Studentët pjesëmarrës në këtë vizitë me karakter studimor, përpos mbledhjes së fakteve nga vëzhgimi, realizuan edhe disa intervista me banorët vendas në lidhje me kushtet dhe marrëdhëniet sociale brenda fshatit, të cilat do t`i projektojnë në punimet e tyre seminarike.

Zyra për Informim