Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me studentët e Fakultetit Juridik: Fadlan Kadrija, Anida Bakii, Amra Hakiki dhe Mirem Musli, të cilët, nën mentorimin e Prof. Dr. Arta Bilalli-Zendeli, e përfaqësuan Universitetin e Tetovës në kompeticionin juridik të organizuar nga Fondacioni Halimi në Tiranë, më 16 dhe 17 maj 2026.

Studentët e UT-së treguan përgatitje dhe profesionalizëm të lartë gjatë gjithë garës, duke kaluar me sukses fazat paraprake të vlerësimit të shkresave juridike dhe përballjet verbale. Me performancën, argumentimin dhe njohuritë e tyre në fushën e drejtësisë, ata arritën të sigurojnë një vend në gjysmëfinale, duke u renditur në vendin e katërt ndërmjet 16 fakulteteve juridike nga universitete të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në këtë takim i përgëzoi studentët dhe mentoren e tyre për përfaqësimin dinjitoz të Universitetit të Tetovës, duke theksuar se sukseset e tilla janë dëshmi e cilësisë dhe angazhimit të studentëve të UT-së. Ai gjithashtu i inkurajoi studentët që edhe në të ardhmen të marrin pjesë në gara dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare, me qëllim të avancimit profesional.

Në përmbyllje të takimit, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli shprehu vlerësimin e tij për angazhimin dhe suksesin e studentëve dhe të mentores së tyre, Prof. Dr. Arta Bilalli-Zendeli, duke u dorëzuar dhurata simbolike për përfaqësimin e denjë të Universitetit të Tetovës në këtë kompeticion ndëruniversitar.