Në kuadër të angazhimeve për avancimin e njohurive praktike dhe lidhjen e procesit mësimor me institucionet relevante të vendit, studentët e Fakultetit të Administrimit të Biznesit (FAB) të Universitetit të Tetovës, më 14 maj 2026, realizuan një vizitë studimore në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo vizitë u organizua me qëllim që studentët të njiheshin nga afër me funksionimin e bankës qendrore, mekanizmat e politikës monetare, si dhe rolin kyç që ky institucion ka në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe ekonomik të shtetit. Gjatë qëndrimit në këtë institucion, studentët morën pjesë në një ligjëratë profesionale kushtuar politikës monetare dhe zhvillimeve bashkëkohore në sektorin bankar e financiar. Përmes bashkëbisedimeve me ekspertët e bankës, ata patën mundësi të zgjeronin njohuritë e tyre teorike me përvoja konkrete nga praktika institucionale.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte edhe qëndrimi në muzeun e Bankës Popullore, ku studentët u njohën me historikun e sistemit monetar dhe bankar në vend, evolucionin e valutës ndër vite, si dhe me dokumente, eksponate dhe materiale me rëndësi të veçantë historike që pasqyrojnë zhvillimin ekonomik dhe financiar të shtetit.
Vizita studimore u udhëhoq nga dekani i Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Prof. Dr. Nehat Ramadani, i cili e vlerësoi lart rëndësinë e aktiviteteve të tilla akademike dhe profesionale. Ai theksoi se ndërthurja e dijes teorike me përvojën praktike paraqet një komponent të domosdoshëm në formimin profesional të studentëve dhe në përgatitjen e tyre për tregun bashkëkohor të punës. Në këtë vizitë morën pjesë edhe Prof. Dr. Llokman Hebibi, si dhe asistentët Mr. Andi Beqiri dhe Mr. Ilir Bislimi.
Studentët e Fakultetit të Administrimit të Biznesit janë potencial i rëndësishëm intelektual dhe profesional për zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. Programet studimore të fakultetit ofrojnë njohuri moderne në fusha të ndryshme si menaxhimi, ekonomia, financat, marketingu, sipërmarrja dhe investimet, duke krijuar mundësi të gjera për integrim në institucionet financiare, sektorin privat dhe tregun ndërkombëtar të punës. Përmes aktiviteteve të tilla, studentët zhvillojnë kompetenca profesionale, aftësi analitike dhe mendim kritik, duke u përgatitur për sfidat e ekonomisë moderne dhe proceseve globale të zhvillimit.
Fakulteti i Administrimit të Biznesit shpreh mirënjohje të veçantë për përfaqësuesit e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Olivera Panovska, Gani Ramadani dhe Fatmir Dinarica, për mikpritjen, profesionalizmin dhe kontributin e tyre në realizimin me sukses të kësaj vizite studimore.








