Studentët e vitit të katërt të drejtimit Arkitekturë, në kuadër të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës, realizuan një vizitë studimore katërditore në kryeqytetin e Italisë në Romë. Kjo vizitë u organizua nën udhëheqjen e Prof. Doc. Dr. Nuran Saliu dhe kryetarit të Parlamentit Studentor të FSHZ-së, Albin Haliti, dhe kishte për synim zgjerimin e njohurive praktike të studentëve përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me trashëgiminë arkitektonike, urbane dhe kulturore të një prej qendrave më të rëndësishme të historisë së arkitekturës botërore.
Gjatë qëndrimit në Romë, studentët patën mundësinë të eksplorojnë nga afër vepra të famshme të antikitetit romak, si Koloseu, Panteoni dhe Forumi Romak, si dhe monumente ikonike të periudhave baroke dhe moderne, si Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan, Sheshi Navona, Fontana di Trevi, MAXXI – Muzeu Kombëtar i Arteve të Shekullit XXI i projektuar nga arkitektja e njohur Zaha Hadid.
Universiteti i Tetovës do të vazhdojë të realizojë iniciativa të tilla që kontribuojnë në përgatitjen profesionale të studentëve dhe në afirmimin ndërkombëtar të institucionit tonë.