Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës ka shënuar një tjetër bashkëpunim të suksesshëm me Departamentin e Inxhinierisë Ushqimore të Universitetit Yildiz të Turqisë. Këtë herë, për një periudhë dy mujore, studentët e këtij fakulteti, Adis Veliu dhe Rihan Abdryramani, realizuan hulumtime në lidhje me temat e tyre të diplomave, duke përdorur metodat më të sofistikuara laboratorike. Hulumtimet e tyre shkencore u ndoqën nga prodekani për shkencë i FTTU-së, Prof. Dr. Erhan Sulejmani dhe përgjegjësi i Departamentit të Inxhinierisë Ushqimore të Universitetit Yildiz të Stambollit, Prof. Dr. Muhammet Arici.

Sipas dekanit të Fakultetit, Prof. Dr. Xhezair Idrizit, ky bashkëpunim ka për qëllim rritjen e aktiviteteve në të ardhmen, duke u mundësuar studentëve praktika dhe përvoja nga më shumë universitete prestigjioze në rajon. Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit tashmë ka aplikuar në dy projekte evropiane për të sjellë një perspektivë të re dhe për të rritur përvojat e të rinjve, ekspertë dhe kompetentë në teknologjitë e inovacioneve në fushën e inxhinierisë ushqimore dhe të ushqyerit.