Në kuadër të lëndës Edukimi Fizik – Special, studentët e vitit të tretë të programit studimor Kriminalistikë të Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit të Tetovës e përfunduan me sukses praktikën e skijimit në qendrën turistike Kodra e Diellit.

Ligjëruesja e lëndës, Doc. Dr. Shpresa Memishi, theksoi se lënda Edukimi Fizik – Special është obligative për studentët e programit studimor të Kriminalistikës dhe në kuadër të kësaj lënde, studentët duhet të realizojnë edhe praktikën në skijim. “Në këtë lëndë studentët e kriminalistikës janë të obliguar që të mësohen me teknikat e skijimit. Kjo lëndë është risi në programin studimor të kriminalistikës dhe është shumë e nevojshme për studentët. Vite me radhë, me studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Kulturës Fizike e kemi realizuar praktikën në skijim dhe shumica prej studentëve janë njohur në mënyrë profesionale me teknikat e skijimit si dhe janë avancuar shumë mirë në këtë sport. Këtë vit, përveç studentëve të Fakultetit të Kulturës Fizike edhe studentët e programit studimor të Kriminalistikës e realizuan praktikën e skijimit. Studentët, gjatë qëndrimit të tyre në qendrën turistike dimërore Kodra e Diellit, kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme në teknikat e skijimit. Siç dihet, skijimi është një sport i vështirë dhe si çdo sport tjetër ka teknikat e veta, por studentët u treguan të shkathtë, pra njohuritë teorike të cilat i kanë mësuar i zbatuan me sukses në praktikë”, tha Doc. Dr. Shpresa Memishi.

Çdo vit Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, në kuadër të lëndës së skijimit, studentët e vitit të tretë i dërgon që praktikën ta realizojnë në qendrën turistike Kodra e Diellit. Kjo praktikë zgjat plotë dhjetë ditë, ndërsa këtë vit praktikën mbi teknikat e skijimit e realizuan edhe studentët e vitit të tretë të programit studimor të Kriminalistikës në kuadër të Fakultetit Juridik.