Të apasionuarit e teknologjisë, në mesin e tyre edhe studentët e vitit të katërt të programeve studimore Informatikë profesionale e Informatikë biznesi si dhe ata të vitit të tretë të programit të Shkencave kompjuterike, më 25 maj 2024, morën pjesë në Festivalin e Shkathtësive Digjitale që u organizua në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren të Republikës së Kosovës.
Studentët, të shoqëruar nga mësimdhënësit e katedrës së Informatikës, u pritën nga Vildane Kelmendi drejtoresha e Programit të Cacttus Education si dhe Atif Basani, menaxheri operacional i Rrjetit Kosovar për Hulumtim dhe Edukim – KREN.
Në kuadër të festivalit, studentët u njohën më shumë me konceptin Twin Transition, në rrugën drejt një bote të gjelbër dhe digjitale. Ata gjithashtu patën mundësinë të vizitojnë Laboratorin e Inovacionit 3D si dhe të marrin pjesë në punëtoritë praktike dhe hakatonet e organizuara në kuadër të programit për inovatorët e rinj me theks të veçantë digjitalizimin për një të ardhme të qëndrueshme.
Së fundi, pjesëmarrësit nga Universiteti i Tetovës i falënderuan sponsorët që mundësuan pjesëmarrjen në këtë festival, marketet “Kipper” dhe “Alda”.