//Studentët e UT-së filluan fushatën sensibilizuese kushtuar shëndetit oral

Studentët e UT-së filluan fushatën sensibilizuese kushtuar shëndetit oral

2018-05-17T13:59:01+00:00 Mars 23, 2018|
Pas shënimit të 20 marsit, Ditës Botërore të Shëndetit Oral, studentët e Stomatologjisë nga Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë, në bashkëpunim me Parlamentit Studentor dhe grupin shkencor të këtij fakulteti filluan me fushatën sensibilizuese për mirëmbajtjen e shëndetit oral.

Studentët kanë realizuar takime me nxënësit e klasave të katërta dhe të pesta në tri shkolla fillore: “Istikball” dhe “Kirili dhe Metodi” në Tetovë si dhe shkollën fillore “Samedin Bajrami” në fshatin Kamjan të Komunës së Bogovinës. Studentët para nxënësve demonstruan mënyra se si pastrohen dhëmbët dhe njëherit i informuan ata për ushqimet të cilat duhet dhe nuk duhet t’i konsumojnë. Nxënësit patën mundësi që studentëve t’u parashtrojnë pyetje nga më të ndryshmet rreth punës së një stomatologu dhe sëmundjeve të dhëmbit.

Koordinatorja e këtij projekti, Doc. Dr. Arbëresha Bexheti- Ferati tha se qëllimi i kësaj fushate është që studentët përmes këshillave të tyre t’i informojnë nxënësit se sa ndikon shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm të njeriut.

Fushatën sensibilizuese të studentëve të Stomatologjisë e përshëndetën edhe drejtorët e shkollave. Drejtori i shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, z.Setki Ismaili, i falënderoi studentët për këtë iniciativë, duke shtuar se shkolla që drejton ai është e gatshme që çdo herë të bashkëpunojë me studentët në aktivitete të këtilla, që kanë për qëllim vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e nxënësve mbi fenomene të ndryshme.

Ndërsa drejtori i shkollës fillore “Istikball”, z. Rexhep Halili tha se kjo fushatë është në interes të të gjithë nxënësve, sepse sëmundjet e dhëmbit për fëmijët janë nga sëmundjet më të ndjeshme dhe se shumica e tyre kanë frikë që të kryejnë kontrolle te stomatologu. Sipas tij, përmes këtyre kampanjave, nxënësit do ta kenë më të lehtë që të binden se sa i rëndësishëm është kontrolli te stomatologu dhe përkujdesi për shëndetin oral.

Drejtori i shkollës fillore “Samedin Bajrami” nga fshati Kamjan, z.Idriz Ismaili, falënderoi studentët, që edhe përkundër angazhimeve të tyre në studime, ndajnë kohë që t’i kushtojnë rëndësi edhe aktiviteteve edukative. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendosen themele të shëndosha në edukimin dhe arsimimin e brezave të ardhshëm.

Studentët u ndanë nxënësve edhe broshura me informata plotësuese për shëndetin oral si dhe u dhuruan nga një brushë dhe pastë për dhëmbët, dhurata këto të cilat janë siguruar nga mbështetësit e kësaj fushate, ordinanca stomatologjike “Apolloni” – Tetovë dhe Colgate.