//Studentët e UT-së morën pjesë në seminarin kushtuar Parlamentit si institucioni themelor i të drejtës parlamentare

Studentët e UT-së morën pjesë në seminarin kushtuar Parlamentit si institucioni themelor i të drejtës parlamentare

2019-02-20T10:27:53+00:00 Shkurt 19, 2019|
Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, më 18. 2. 2019, realizuan seminar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë – instituti parlamentar, me temë: “Parlamenti (Kuvendi) si institucion themelor i të drejtës parlamentare”.

Pjesëmarrës në këtë seminar ishin studentë të drejtësisë, gazetarisë, shkencave politike dhe kriminalistikës, të shoqëruar nga profesori i lëndës E drejta kushtetuese-administrative, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Fillimisht ata u pritën në takim nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, i cili i njoftoi me rolin e Kuvendit si institucion themelor i sistemit juridik, raportin me institucionet tjera dhe disa nga sfidat dhe prioritetet kryesore të veprimtarisë së Kuvendit që ai drejton.

Veç tjerash u diskutua edhe për shumë tematika që kanë të bëjnë me funksionimin e Kuvendit, rolin e grupeve parlamentare, komisioneve parlamentare, sfidat e shumicës parlamentare e të tjera. Studentët vizituan edhe disa nga sallat kryesore të Kuvendit dhe sallën në të cilën realizohen seancat e tij.

Më pas studentët morën pjesë në punimet e seminarit që u realizua në institutin parlamentar, në të cilat u shqyrtuan disa tema si: historia e parlamentarizmit në Maqedoni, organizimi dhe funksionimi i Kuvendit, pozita juridike e deputetëve si dhe funksionet themelore të Parlamentit dhe procedura e miratimit të ligjeve.

Gjatë punimeve të seminarit, studentët e Universitetit të Tetovës ishin mjaft aktiv duke dëshmuar aftësi komunikimi, organizative dhe profesionale.