“Ishte një garë shumë e suksesshme, një garë shumë e madhe. Unë isha një ndër katër finalistet e asaj gare, ndërsa kishte konkurrentë nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova. Fillimisht konkurruam me video audicion, ndërsa pastaj garuam mes veti. Më 28 mars, kemi luajtur para jurisë së përbërë prej 4 anëtarëve (tre violistë dhe presidenti i orkestrës). Pas kalimit të fazës së audicioneve shpallej fituesi. Unë e mora vendin e dytë, ndërsa vendin e parë në violë e mori kolegia ime nga Shqipëria” – theksoi violistja Ardita Osmani.
Vendi i dytë në një festival ndërkombëtar nuk është sukses vetëm për studenten Ardita Osmani, por edhe për Universitetin tonë, përkatësisht Fakultetin e Arteve, vlerëson Prof. Dr. Blerim Grubi.
“Ardita është një risi e madhe, sidomos për ne në Universitetin e Tetovës, për arsye se Fakulteti i Arteve përgatit kuadro të këtij niveli, të aftë për të fituar çmime ndërkombëtarë në Festivalin DAM që organizohet në Prishtinë dhe me këtë rast mes një konkurrencë të ashpër, Ardita fitoi vendin e dytë. Për ne është sukses dhe këto janë fillimet e para për ne instrumentistët, sepse janë artistët e parë që do të vijnë te ne në kohën më të re – tha profesori i Fakultetit të Arteve të UT-së, Prof. Dr. Blerim Grubi.
Ai po ashtu shprehu bindjen se kuadro të tilla së shpejti do të kyçen dhe të përfaqësojnë shqiptarët edhe në institucionet e artit dhe kulturës në vend dhe më gjerë.
Ardita është e para artiste nga Maqedonia që është vlerësuar me një çmim të këtillë në këtë festival.