Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, më 2 mars 2026, së bashku me dekanen e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani, e pritën në takim sekretarin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” nga Kantoni i Aargaut, Zvicër, z. Rexhep Neziri i shoqëruar nga znj. Besarta Haskaj Balaj, zyrtare e lartë për mësim plotësues në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës.

Në qendër të këtij takimi ishte bashkëpunimi institucional për zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në mërgatë. Po ashtu u bisedua për hapat konkretë për organizimin e një konference shkencore me temë qendrore: “Kombi, identiteti i parë i shqiptarëve”, rëndësia e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar te brezat e rinj në diasporë.

Gjatë takimit, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli shprehu gatishmërinë e plotë të Universitetit të Tetovës për të mbështetur këto nisma, duke theksuar se gjuha shqipe duhet të kultivohet me përkushtim, veçanërisht në diasporë. Ai nënvizoi se ruajtja e gjuhës është shtylla kryesore e identitetit tonë kombëtar dhe se institucionet arsimore kanë obligim moral dhe kombëtar ta ndihmojnë mërgatën në këtë mision.

Ndërkaq, sekretari i LAPSH-së, z. Rexhep Neziri, prezantoi një historik të shkurtër të shoqatës dhe punën voluminoze që bëhet në Zvicër për ruajtjen e gjuhës shqipe. Ai theksoi se Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Aargau është e angazhuar maksimalisht në organizimin e mësimit plotësues, duke shërbyer si një urë lidhëse që parandalon asimilimin dhe mban gjallë ndjenjën kombëtare te fëmijët e mërgimtarëve tanë.

Ky takim do të shërbejë si pikënisje për projekte të përbashkëta që synojnë mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare të bashkatdhetarëve tanë.