Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli së bashku me bashkëpunëtorët e tij, e pritën në takim pune guvernatoren e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dr. Anita Angellovska – Bezhoska e shoqëruar nga zv.guvernatori, Dr. Fadil Bajrami. Me këtë rast Universiteti i Tetovës dhe Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut nënshkruan memorandum bashkëpunimi në fushën e edukimit dhe hulumtimit.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Banka Popullore dhe Universiteti i Tetovës do të bashkëpunojnë në konceptimin e programeve të reja studimore për nevojat e politikës monetare dhe makroekonomike dhe të sistemit bankar, të cilat do të realizohen përmes organizimit të takimeve, tryezave të rrumbullakëta, konsultimeve dhe ekspertizave në lidhje me projektet të cilat janë në interes të nënshkruesve. Pikë tjetër e rëndësishme është edhe shkëmbimi i informacioneve për aktivitetet dhe ngjarjet e organizuara nga organizatorë vendas dhe ndërkombëtarë, me mundësi pjesëmarrjeje dhe bashkëpunimi.
Përveç aktiviteteve të lartpërmendura pjesë e rëndësishme e këtij bashkëpunimi janë edhe shkëmbimi i resurseve, pjesëmarrja në konferenca, seminare dhe punëtori të organizuara në nivel të nënshkruesve ose në nivel më të gjerë me subjekte të tjera brenda dhe jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, fushëveprimi i të cilave është në interes të përbashkët të nënshkruesve.
Pas nënshkrimit të memorandumit, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës u zhvillua panel diskutimi me temën: “Fuqizimi i grave në financa – thyerja e tavanit prej qelqi”.
Për aktivitetin e sipërpërmendur, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se Universiteti i Tetovës në vazhdimësi krahas procesit mësimor, edukativ, hulumtues, shkencor organizon edhe tribuna për të dhënë kontributin e tij përmes profesorëve, ekspertëve dhe bashkëpunimeve që kemi me institucionet e tjera. “Ky panel diskutimi do të jetë shumë i dobishëm sikurse për studentët, stafin akademik, administrativ por edhe qytetarët, për arsye se njihemi me zhvillimet në këtë rrjedhë dhe se cilat janë masat dhe sfidat të cilat duhet t’i kalojmë të gjithë së bashku.” – u shpreh Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Ndërsa dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Brikend Aziri tha se ky panel diskutimi ka për synim parësor të identifikojë shkallën e përfaqësimit të grave në botën afariste, arsyet e shkallës së ulët të përfaqësimit, si dhe të ofrojë modalitetet për përmirësim në qoftë se ka hapësirë të gjendjes, qoftë afatshkurtër apo afatmesëm në vendin tonë.
Në këtë panel diskutimi referuan: Dr. Anita Angellovska – Bezhoska, guvernatore e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, Gzime Fejzi, nga kompania Fejzi & OEMVP, Ivan Shteriev – drejtor ekzekutiv i Bursës së Maqedonisë së Veriut, Nora Aliti – drejtoreshë e Komisionit të Letrave me Vlerë dhe prodekania për arsim e Fakultetit Ekonomik të UT-së, Doc. Dr. Vjollca Hasani – Limani.