Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe drejtori i Fondacionit për Studime Ballkanike, Dr. Sevba Abdula nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Qëllimi i këtij memorandumi është krijimi i kuadrove për bashkëpunim midis Fondacionit për Studime Ballkanike dhe Universitetit të Tetovës në fushën e studimeve ballkanike, duke iniciuar bashkëpunime në sfera të ndryshme, veçanërisht në projekte kërkimore – shkencore dhe aktivitete akademike.
Fusha e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve përfshin iniciativa për kërkime shkencore në lëmin e projekteve të përbashkëta kërkimore, konferencave, kongreseve, paneleve dhe aktiviteteve të ndryshme shkencore që do të kontribuonin në avancimin e studimeve ballkanike.
Pikë tjetër e rëndësishme është edhe ndarja e resurseve/burimeve, ku përfshihet ndarja e resurseve akademike siç janë: bibliotekat, botimet dhe materialet kërkimore, që do të ndihmonin për të rritur kapacitetet akademike të të dy institucioneve.
Gjithashtu, ky memorandum parasheh edhe inkurajimin e publikimeve e gjetjeve të përbashkëta kërkimore – shkencore, artikujve dhe publikimeve akademike që do të ishin fryt i bashkëpunimit mes Fondacionit për Studime Ballkanike dhe Universitetit të Tetovës.