Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Dr. Azir Aliu, ditën e sotme nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në mes të dy institucioneve.
Memorandumi në fjalë përmban në pika të përgjithshme kornizën bazë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella mes dy palëve dhe parasheh forma të ndryshme të bashkëpunimit, si shkëmbimi i mendimeve profesionale, përvojave, njohurive, burimeve të domosdoshme mes kuadrove bashkëpunuese për qëllime hulumtuese-shkencore, organizimi i punëtorive, konferencave, seminareve dhe aktivitete të tjera akademike, pjesëmarrje në grupe pune dhe debate publike me qëllim të përfshirjes profesionale të ekspertëve të fushës në hartimin e propozim-ligjeve dhe zbatimin e tyre në mënyrë të suksesshme.
Po ashtu, në këtë memorandum është paraparë edhe mundësia e realizimit të praktikave studentore në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.