Universiteti i Tetovës dhe ROI Academy Macedonia, më 27 prill 2026, e kanë formalizuar një marrëveshje midis tyre përmes nënshkrimit të një Memorandumi bashkëpunimi, me qëllim zhvillimin profesional të studentëve dhe për t’i përgatitur ata për kërkesat e tregut të punës.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe drejtori ekzekutiv i ROI Academy, Arb Abdyli.
Ky partneritet parashikon krijimin e një sërë mundësish praktike për studentët, përfshirë trajnime profesionale, aktivitete të përbashkëta dhe programe të dedikuara për zhvillimin e aftësive praktike. Një nga pikat kryesore të marrëveshjes është ofrimi i bursave të plota për të gjithë studentët e vitit të katërt të programit Informatikë – Shkenca Kompjuterike, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin programet dymujore të ROI Academy.
Gjithashtu, palët kanë paraparë organizimin e punëtorive, sesioneve informuese dhe eventeve të karrierës, me qëllim që studentët të përfitojnë njohuri praktike dhe të lehtësohet integrimi i tyre në tregun e punës.
Ky bashkëpunim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt lidhjes më të ngushtë mes arsimit të lartë dhe sektorit të trajnimeve profesionale, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale të studentëve dhe në zgjerimin e mundësive të tyre të punësimit.





