//Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Floridës Jugore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e realizuan Konferencën finale të projektit të përbashkët hulumtues

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Floridës Jugore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e realizuan Konferencën finale të projektit të përbashkët hulumtues

2020-05-06T23:35:45+00:00 Maj 06, 2020|

Edhe pse në kushte të pandemisë, Universiteti i Tetovës e vazhdon bashkëpunimin e suksesshëm me universitetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësaj radhe, përmes komunikimit online, studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës dhe studentët nga Universiteti i Floridës Jugore Shën Petersburg, arritën ta përmbyllin me sukses Projektin e përbashkët hulumtues, me temë: “Projekt krahasues i përbashkët i kërkimeve juridike: Liritë civile në SHBA dhe në Evropë: Një krahasim i çështjeve të vendosura nga SCOTUS dhe ECtHR, Pranverë 2020”.
Projekti u realizua përmes komunikimit online dhe u realizuan disa video konferenca mes studentëve dhe profesorëve nga të dy universitetet.
Më 29. 4. 2020 u realizua Konferenca finale (online), në të cilën studentët pjesëmarrës i prezantuan rezultatet e hulumtimit në mënyrë të shkëlqyer. Në punimet e konferencës finale morën pjesë edhe prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Shefik Shehu, dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu dhe profesori Dritan Kuçi. Gjithashtu, nga Universiteti i Floridës Jugore Shën Petersburg, morën pjesë: nënkryetarja për Çështje Akademike Katerina Cardwell, drejtori për Angazhime Globale Wendy Baker; rektori Martin Tadlock, si dhe drejtori i Kërkimeve Jon Jonson.
Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Shefik Shehu e elaboroi rëndësinë e projektit hulumtues, e falënderoi Profesoreshën Judithanne dhe përfaqësuesit e Universitetit të Floridës Jugore Shën Petersburg për bashkëpunimin frytdhënës, duke premtuar mbështetje dhe vazhdimësi në bashkëpunimin e mëtejshëm. Njëkohësisht, ai i inkurajoi studentët nga të dy universitet për të qenë sa më aktiv në projekte të tilla hulumtuese ndërkombëtare.
Po ashtu shprehu falënderime dhe mirënjohje për studentët e Fakultetit Juridik të Universiteti të Tetovës, Vjollca Emini, Artin Hasipi, Selma Ademi, Veton Jakupi, Nedreta Jusufi, Artina Mustafi, Devi Mukja dhe Diellza Selimi, për pjesëmarrjen e tyre në këtë projekt.
Zyra për Informim