Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi, dhe Kryetari i Sindikatës së të Punësuarve në UT, Prof. Dr. Shefket Dehari, sot mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 15-vjetorit të themelimit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Në këtë përvjetor ishin të pranishëm zyrtarë të lartë shtetërorë, përfaqësues të dikastereve të ndryshme, personalitete të njohura të jetës publike dhe drejtues institucionesh me të cilët bashkëpunon Universiteti “Ukshin Hoti”.

Në këtë ngjarje solemne, Rektori ynë e ka uruar udhëheqjen e këtij universiteti që jep kontribut të rëndësishëm në arsim, shkencë dhe në fusha të tjera me rëndësi për zhvillimin dhe avancimin e proceseve në Republikën e Kosovës.

Krahas pjesëmarrjes në këtë solemnitet, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren sot kanë nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional, e cila synon forcimin e lidhjeve arsimore dhe shkencore ndërmjet dy institucioneve.
Përmes kësaj marrëveshjeje, palët angazhohen të zhvillojnë projekte të përbashkëta kërkimore, të organizojnë konferenca, punëtori dhe aktivitete shkencore, si dhe të mundësojnë shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve në programe të ndryshme studimore.
Ky bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, në shkëmbimin e përvojave profesionale dhe në promovimin e vlerave të përbashkëta ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “Ukshin Hoti”, duke forcuar gjithashtu lidhjet arsimore e kulturore ndërmjet dy vendeve.