Me homazhe para shtatores së themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe para lapidarit “Flakadani i Kujtesës”, si dhe me mbajtjen e një akademie solemne, Universiteti i Tetovës së bashku me studentët, stafin akademik, administrativ dhe miqtë e ftuar e shënoi 28-vjetorin e themelimit.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm të Universitetit të Tetovës, ku pjesëmarrës ishin një numër i madh personalitetesh të dëshmuar në fusha të ndryshme, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti fjalimin e tij e nisi me falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë studentët, të cilët 28 vjet më parë, me guximin shembullor dhe pa asnjë hezitim u bënë shtylla më vitale e çerdhes së parë të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në këto hapësira, duke u bërë protagonistët, misionarët, pishtarët dhe bartësit kryesorë të platformës së Universitetit të Tetovës, të themeluar nga intelektualët shqiptarë në krye me Rektorin e parë dhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanin.
Ai, po ashtu shprehu respektin e thellë edhe për dëshmorin e arsimit shqip, Abdilselam Emini, gjaku i të cilit u bë dritë e diturisë në rrugën e ndërtimit të Universitetit tonë. “Nderim të veçantë meritojnë dhe vëllezërit tanë, që e ndihmuan dhe i shërbyen Universitetit, duke i shndërruar shtëpitë në auditorë universitarë, ku u edukuan, fituan dije dhe u aftësuan profesionalisht studentët e parë të këtij institucioni. Nuk i harrojmë kurrë as përpjekjet e familjeve shqiptare, që dhanë kontribut për ngritjen në këmbë të shëndosha të Universitetit tonë. Pas 28 vitesh punë të pandalshme, Universiteti i Tetovës është shndërruar në qendër të mirëfilltë edukimi e arsimimi, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon. Në këtë tempull të dijes, sot studiojnë të rinj e të reja nga vendi ynë, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Lugina e Preshevës dhe nga mbarë diaspora shqiptare. Ata, bashkë me profesorët e tyre të vyeshëm, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në proceset më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Universiteti i Tetovës, që nga themelimi, fillimi i ligjëratave të para e deri te periudha pas zyrtarizimit, integrimit dhe përparimit të Universitetit. Me pietet të veçantë i kujtojmë edhe kontribuuesit, të cilët nuk janë më në mesin tonë, duke uruar përjetësi për veprat e tyre. Gjatë këtij viti akademik Universiteti Tetovës ka shënuar rezultate të konsiderueshme në të gjitha fushat dhe ka arritur t’i realizojë qëllimet kryesore dhe misionin e tij si institucion i arsimimit sipëror në vendin tonë”, tha Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ameti.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës në vendin tonë, Jeton Shaqiri, në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve në këtë akademi tha se Universiteti i Tetovës është krenari nacionale, fidanishte e kuadrit cilësor që integrohet me sukses në të gjitha segmentet e shoqërisë dhe pjesa më e madhe e tyre, duke shfaqur aftësi drejtuese kontribuojnë në krijimin e ndryshimeve pozitive dhe lëvizjen përpara të vendit. “Gjeneratave të reja është e rëndësishme t’u lehtësohet studimi këtu. Përfundoi koha kur mësimi organizohej në kushte të vështira, fondi i pamjaftueshëm i literaturës, mungesa e mbështetjes financiare gjatë mësimit e kështu me radhë ka kaluar. Sot ofrohen të gjitha kushtet e nevojshme. Sot universiteti ka ambient bashkëkohor, amfiteatro moderne, salla leximi, laboratorë. Organizon studime në të tre ciklet. Ka rrjet të zhvilluar bashkëpunimi me institucione të tjera arsimore, me sektorin e biznesit, organizata të ndryshme etj. Janë të disponueshme lloje të ndryshme bursash për studentët, të cilat i ndan Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes programit të saj për standard studentor, si dhe financues të tjerë, ndërsa të disponueshme janë edhe mjetet për realizimin e projekteve kërkimore-shkencore”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Në këtë akademi, Universiteti i Tetovës promovoi disa gjenerata të doktorantëve të cilët ndër vite kanë doktoruar në universitetin tonë. Ata sot edhe zyrtarisht pranuan diplomat nga Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Në emër të të gjithë të diplomuarve fjalë rasti mbajti Dr. Vegim Zhaku, i cili tha se pavarësisht sakrificës, dëshirës e vullnetit, realizimi i qëllimit mbetet i gjymtuar nëse nuk ka individë që janë të kalitur për kontinuitetin e proceseve qenësore për kombin tonë. “Ashtu si fusha e doktoraturës time, që ka të bëjë me riprodhimin dhe vazhdimësinë e species, ashtu edhe këta individë me ideologjinë, mendjemprehtësinë, vigjilencën përzgjodhën nga ne studentët më të mirë, që të jemi pjesë e stafit, dhe për këtë falënderues përzemërsisht i jam udhëheqësisë së Universitetit të Tetovës, pa të cilët edhe këto studime të doktoraturës nuk do të mund të procedoheshin më tutje, dhe kjo ka të bëjë me largpamësinë dhe vizionin që kanë këta individë, sepse e dimë se mendja (arsyeja) është një burim i rëndësishëm diturie, ndërsa largpamësia, një burim serioz kulture. Është mjaft e vështirë, madje e pamundur që njeriu me arsye, por pa aftësi parashikuese të arrijë diku me ato që di, edhe nëse di shumë gjëra dhe kupton nga shumë gjëra. Me përfundimin e këtyre studimeve të ciklit të tretë u mundësua hapja e horizonteve dhe diapazoneve të reja, por edhe përgjegjësive për korrektësi, transparencë, punë, dije, përkushtim, sepse zhvillimi dhe përparimi i një kombi varet nga edukimi ideor i individëve të tij”, u shpreh Dr. Vegim Zhaku.
Në kuadër të veprimtarisë shkencore hulumtuese të Universitetit tonë, po ashtu u ndanë mirënjohje koordinatorëve të dy projekteve në nivel ndërkombëtar, të cilët kanë përfunduar me sukses vitin që lëmë pas. Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, mirënjohje për projektin: Sjelljet të lidhura me shëndetin te fëmijët e moshës shkollore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i ndau Doc. Dr. Sheruze Ballazhi – Osmanit dhe Prof. Dr. Erhan Sulejmanit për projektin: “Art Blossom ose Lulëzimi i Artit”.
Kjo akademi u shoqërua edhe me disa pika artistike nën interpretim të Korit të Universitetit të Tetovës me dirigjent Premtim Etemi dhe artistët, Kastriot Tusha dhe Bajramali Idrizi, të shoqëruar në piano nga profesori Shkëlzen Baftiari.