Me një akademi solemne Universiteti i Tetovës e shënoi 30-vjetorin e themelimit. Në shënimin e këtij viti jubilar të universitetit tonë morën pjesë një numër i madh personalitetesh nga jeta akademike, diplomatike, politike, shoqërore, intelektuale, veprimtarë dhe studentë të cilët u tubuan për të nderuar këto 30 vjet ekzistencë të Universitetit të Tetovës.
Akademinë e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i cili bëri një retrospektivë të ngjarjeve arsimore shkencore të cilat janë zhvilluar në universitetin tonë. Ai po ashtu foli edhe për proceset e shumta që janë zhvilluar që nga themelemimi dhe për tërë veprimtarinë që ka zhvilluar Universiteti i Tetovës deri më sot. Po ashtu në fokus të fjalës së tij ishin edhe gjithë aktivitetet që janë realizuar gjatë vitit 2024. “Ndërsa festojmë të kaluarën dhe të tashmen tonë, ne gjithashtu duhet të shohim përpara me guxim dhe me ambicie. Sfidat e këtij shekulli, përparimet e shpejta teknologjike, krizat mjedisore dhe pabarazitë sociale – kërkojnë që universitetet të jenë më shumë se qendra të mësimit dhe studimit. Universitetet duhet të jenë qendra të inovacionit, të qëndrueshmërisë dhe të përgjegjësisë sociale. Universitetet duhet të krijojnë sa më shumë lidhje me komunitetin dhe të kenë parasysh kërkesat e reja që shfaqen në tregun e punës. Janë synime që po i realizojmë me përkushtim dhe me një strategji afatgjatë. Le të jetë ky përvjetor një kujtesë e detyrës sonë për t’u përshtatur, rritur dhe udhëhequr në kohët transformuese. Vizioni ynë për të ardhmen e përfshin jo vetëm përsosmërinë akademike, por edhe përkushtimin ndaj barazisë dhe gjithëpërfshirjes. Ky moment historik nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e palëkundur të shumë njerëzve. Për studentët dhe të diplomuarit tanë: ju jeni shpirti i këtij institucioni, arsyeja e ekzistencës sonë dhe dëshmia e suksesit tonë. Për fakultetet dhe stafin tonë: përkushtimi juaj është themeli mbi të cilin qëndron lart ky Universitet. Për partnerët dhe mbështetësit tanë: besimi juaj në misionin tonë ka qenë i rëndësishëm dhe frymëzues gjatë rrugëtimit tonë.” – tha Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Ambasadorja e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut Ekselenca e saj znj. Petra Drexler tha se Universiteti i Tetovës qëndron simbolikisht për atë që të gjithëve në këtë vend t’u ofrojë mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tyre dhe për të kontribuar në përparimin e shoqërisë – pavarësisht nga gjuha e tyre amtare. “Për të përmbushur këtë kërkesë dikur, ishin të nevojshme disa ndryshime në shoqëri. Sot, e drejta për arsimim në gjuhën shqipe nuk është më në pikëpyetje në Maqedoninë e Veriut dhe Universiteti i Tetovës është bërë pjesë integrale e peizazhit akademik. Përkushtimi për t’i përgatitur të rinjtë sa më mirë për sfidat e së ardhmes është sot po aq i rëndësishëm sa ishte edhe 30 vjet më parë. Nëse dëshironi të vazhdoni me këtë përkushtim këtu dhe tani, atëherë në fokus qëndrojnë tema të tjera: kemi të bëjmë me krijimin e një mjedisi që promovon kreativitetin dhe të menduarit kritik, hapjen ndaj gjërave të reja dhe aftësive drejtuese.” – u shpreh mes tjerash Ambasadorja e Gjermanisë në RMV.
Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës në SHBA z. Mark Gjonaj shprehu kënaqësinë e tij që ndodhet në këtë akademi festive. “Më mbushet zemra mal sepse po vizitoj popullin tim që kemi një gjak, një gjuhë dhe një histori. Shqiptarët kanë luftuar në histori për të drejtën e arsimit. Mësuesit shqiptarë u hoqën prej pune dhe u futën në burg. Shqiptarët kanë vuajtur dhe sakrifikuan për të mësuar në gjuhën tonë. Universiteti i Tetovës u themelua nga Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe të tjerët në vitin 1994 dhe u prit me kundërshtim. Më 17 shkurt 1995, shqiptarët në Universitet kanë protestuar kundër qeverisë dhe në fund ka pasur një vdekje, shumë të plagosur dhe shumë të arrestuar padrejtësisht. Sot, 30 vjet më vonë, Universiteti i Tetovës është një sukses dhe një moment historik i shqiptarëve. Me 13,000 studentë të regjistruar, Universiteti është një shtyllë për kombin tonë. Universiteti i Tetovës prodhon intelektualë dhe është ruajtje e identitetit dhe kulturës shqiptare. Por, edhe pse sot jemi mbledhur për festim, le të kujtojmë se puna jonë nuk ka mbaruar. Nuk duhet të shikojmë vetëm 30 vjet në të kaluarën, duhet të shikojmë edhe 30 vjet në të ardhmen, ku Universiteti do të vazhdojë të prodhojë liderë shqiptarë për të ardhmen që do të kontribuojnë jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për botën.” – theksoi ndër të tjera z. Mark Gjonaj.
Në këtë vit jubilar, të 30-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, iu nda tituli Doctor Honoris Causa profesor Nevzat Halilit – një figure të rëndësishme politike në vitet e 90-ta, i njohur për angazhimin e tij në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon. Referatin për jetën dhe veprën e profesor Nevzat Halilit para të pranishmëve e paraqiti Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti. “REFERAT për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa për z. Nevzat Halili. Universiteti i Tetovës, si intitucion i arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është themeluar falë ngulmimit dhe sakrificës së përbashkët të popullatës, intelektualëve, faktorit politik shqiptar, diasporës dhe miqve ndërkombëtarë të universitetit. Që nga themelimi, ky universitet, i cili është dëshmuar me të arriturat e veçanta arsimore, shkencore, emancipuese dhe kulturore, ka shprehur mirënjohje dhe respekt të veçantë për figurat e rëndësishme nga sferat e ndryshme shoqërore, qoftë nga hapësira shqiptare, rajonale apo nga ajo botërore, të cilët kanë kontribuuar për Universitetin e Tetovës. Njëri nga personalitetet që e mbështeti nismën për themelimin e Universitetit të Tetovës, është edhe z. Nevzat Halili, të cilin e propozojmë për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës.” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti
Vendimin e Senatit të UT-së për ndarjen e titullit Doctor Honoris Causa profesor Nevzat Halilit e lexoi Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati. “Në bazë të nenit 184 të Ligjit për arsimin e lartë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 82/18 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 178/2021 dhe 58/2024) dhe nenit 265 të Statutit të Universitetit të Tetovës, Senati i Universitetit të Tetovës në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 13 dhjetor të vitit 2024 solli: VENDIM për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës për z. Nevzat Halilin. Ky titull, z. Nevzat Halilit i jepet për veprimtarinë e tij të çmuar në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare dhe për kontributin në fushën e arsimit, politikës dhe jetës publike, si dhe për përkrahjen e përhershme të Universitetit të Tetovës.
Më pas Sekretari i përgjithshëm, z. Adem Beadini në emër të shërbimeve të universitetit ia dorëzoi diplomën Rektorit Prof. Dr. Jusuf Zejneli që t’ia ndajë titullin Doctor Honoris Causa, profesor Nevzat Halilit. Bashkë me diplomën, lauretatit të Universitetit të Tetovës iu ndanë edhe simbolet e universitetit logoja dhe flamuri.
Pas pranimit të titullit Doctor Honoris Causa nga ana e Rektorit Prof. Dr. Jusuf Zejneli, laureati Nevzat Halili iu drejtua të pranishmëve me fjalë falënderuese për respektin që kanë treguar ndaj personalitetit të tij dhe Universitetit të Tetovës. “Me hapjen e këtij Universiteti, me legalizimin e këtij Universiteti me shumë sakrifica, sikurse unë që kam qenë në burg, nëpër burgje kanë qenë edhe shumë bashkëkombas tanë, si Mandela shqiptar, Adem Demaçi i cili ka bërë 26 vjet burg, Mandela i dytë, Mehmetriza Gega i cili ka qenë 16 vjet në burg. Themelimi i Universitetit nuk ishte shumë i lehtë, ka qenë i vështirë, ndoshta nuk do të ishte aq shumë i vështirë, po të kishim pasur një mirëkuptim më të madh, pasi aty pati shtypje, sepse politika ishte e tillë, sapo e kishim kaluar komunizmin, ende ishin bindjet e mëhershme se shqiptari mund të ishte “njeriu me sharrë në krah”. Por, sot shqiptarët askush nuk mund t’i quajë “njeriu me sharrë në krah”, për shkak se pranë këtij Universiteti studiojnë diku 15 000 studentë dhe kanë diplomuar një mori studentësh. Në RMV, prej themelimit të Universiteti “Kirili dhe Metodi” deri në vitet e 90-ta kanë diplomuar 430 shqiptarë, të cilët kanë qenë një pjesë nga Kosova, Presheva, Bujanoci, madje ka pasur shqiptarë edhe nga Mali i Zi.” – deklaroi z. Nevzat Halili.
Ai po ashtu foli edhe për veprimtarinë dhe aktivitetet e Partisë për Prosperitet Demokratik, e cila ka qenë parti e parë shqiptare në RMV. “Pas zgjedhjeve kjo parti pati deputetin e parë në një parlament shumëpartiak. Kjo parti bëri shumë gjëra, përkrahu nismat progresive, civilizuese, arsimore, kulturore në të gjithë rruzullin tokësor. Bëri një punë shumë të madhe në afirmimim e çështjes shqiptare, në katër anët e botës dhe sa për informim tuaj, kjo parti themeloi 49 degë të saja në të gjithë rruzullin tokësor, duke u nisur nga SHBA-ja, Kanadaja, Australia dhe të gjitha shtetet e Evropës Perëndimore si Gjermania, Franca, Anglia, Italia dhe shtetet e tjera.” – potencoi me këtë rast laureati Nevzat Halili.
Akademia solemne u përmbyll me programin artistik të realizuar nga prof. Blerim Grubi, prof. Ariana Kuriu – Grubi, prof. Kastriot Tusha dhe prof. Shkëlzen Baftijari. Në 30-vjetorin e themelimit të këtij institucioni janë dërguar edhe disa telegrame urimi për këtë vit jubilar, në mesin e të cilëve edhe Presidentja e shtetit znj. Gordana Siljanovska – Davkova dhe shumë personalitete tjera të jetës publike.